Trafiku në autostradën Tiranë-Durrës do të pësojë ndryshime gjatë netëve të 14 dhe 15 gushtit, për shkak të punimeve për montimin e trarëve metalikë të mbikalimit të ri në Kashar.
Sipas njoftimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ndërhyrja do të kryhet në orarin 23:00–05:00, në kuadër të projektit për zgjerimin e superstradës Tiranë-Durrës, Faza III.
Gjatë punimeve do të bllokohen përkohësisht dy korsitë e aksit kryesor në drejtimin Tiranë-Durrës. Automjetet që udhëtojnë drejt Durrësit do të kalojnë në dy korsitë e anës së majtë të autostradës, të cilat do të përdoren përkohësisht për lëvizje në të dyja drejtimet.
Ndërkohë, qarkullimi drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës do të vijojë normalisht, pa u prekur nga devijimi.
ARRSH u ka bërë apel drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes gjatë orarit të ndërhyrjes, ndërsa ka kërkuar mirëkuptimin e banorëve dhe bizneseve të zonës për kufizimet e përkohshme të qarkullimit.








