Rreziku i përhapjes së zjarreve në vende të tjera europiane, i kombinuar me vatrat aktive në Spanjë dhe Francë, mund të bëjë që “e gjithë Europa të përfshihet nga zjarret” në fillim të muajit gusht. Paralajmërimi vjen nga një agjenci e Bashkimit Europian.
Shqetësimet janë rritur për mundësinë e shpërthimit të vatrave të reja në Greqi, Itali dhe Europën Qendrore gjatë ditëve në vijim, ndërsa situata në Francë pritet të mbetet “shumë e vështirë” në afatshkurtër.
Maria Zuber, drejtuesja e Qendrës së Koordinimit të Reagimit ndaj Emergjencave të BE-së (ECCR), deklaroi se nëse zjarret aktuale në Portugali dhe Spanjë nuk shuhen deri në atë periudhë, “do të kemi të gjithë Europën në flakë”.
Duke folur për gazetarët në dhomën e operacioneve të ECCR-së në Bruksel, Zuber tha se viti 2026 mund të shënojë sezonin më të rëndë të zjarreve në historinë e Europës, duke tejkaluar rekordin e vendosur vitin e kaluar.
Sipas saj, reshjet e dendura gjatë dimrit dhe pranverës shkaktuan një rritje të jashtëzakonshme të bimësisë, e cila tashmë është tharë nga temperaturat e larta të verës dhe është kthyer në material lehtësisht të djegshëm.
Turqia, vendi i fundit i prekur nga zjarret
Paralajmërimi vjen në një kohë kur një zjarr pyjor pranë një destinacioni të njohur turistik në jugperëndim të Turqisë detyroi autoritetet të mbyllnin përkohësisht një autostradë.
Zjarri nisi në një zonë bujqësore në provincën Mugla dhe më pas u përhap drejt një zone pyjore, duke sjellë mbylljen e aksit kryesor rrugor që lidh Fethiyen me Antalian.
Autoritetet rajonale bënë të ditur se në operacionin për shuarjen e flakëve u angazhuan pesë avionë, 11 helikopterë, 40 automjete zjarrfikëse dhe qindra efektivë.







