Fiks Fare denoncoi se shërbimet private që operojnë në fushën e transportit, taksive në Tiranë, kishin zaptuar 3 pika të karikimit të makinave elektrike të vendosura në parkimin nëntokësor, në zonën e ish-Stacionit të Trenit.
Në redaksinë e emisionit investigativ u ankuan banorët e asaj zone, të cilët thanë se kanë abone vjetore për parkimin e makinave, por megjithëse pikat e karikimit u ndërtuan për qytetarët e thjeshtë, ato përdoren nga firma private.
Pas kësaj ankese, grupi i xhirimit shkoi te parkimi nëntokësor, ku konstatoi se ishin 3 pika, të vendosura pas një nismë të bashkisë së Tiranës që synonte ndërgjegjësimin e banorëve të përdornin makina elektrike. Në Fiks Fare mbërritën edhe disa video, ku dukeshin qartë taksitë që përdornin ato pika të karikimit, duke mos paguar asnjë qindarkë në arkat e Bashkisë së Tiranës.

Fillimisht, banorët e zonës u ankuan te Tirana Parking. Në vend që Tirana Parking, një institucion në varësi të merrte masa për të larguar këto taksi, ky institucion shkëputi energjinë elektrike dhe aktualisht këto pika karikimi nuk funksionojnë. Grupi i xhirimit bisedoi me një punonjës të parkimit nëntokësor, i cili thotë se kanë defekt. Gazetarët e pyesin nëse në ato pika karikohen taksi. “S’jam gjithë ditën këtu, sa jam unë këtu jo” thotë ai.
Më pas, punonjësi flet me një përgjegjës, teksa Fiksi e pyet nëse ulja është bërë me dashje. Përgjegjësi në telefon thotë se taksitë nuk lejohen atje, ndërkohë që shton se tani kanë defekt, po s’kanë punonjës për t’a sjellë.

Fiksi kontakton me drejtorin e Tirana Parking, Flavio Barçi. Fillimisht në telefon, pasi konstatuan problemin. Ai thotë se nuk e di nëse nuk funksionojnë, pasi u ka thënë vartësve që t’i verifikojnë. Drejtori shton se “që të jenë përdorur nga shërbimi taksi nuk ka ndodhur. Por, “që janë karikuar dhe taksi, patjetër”.
“Ato janë praktikisht të lira të përdoren nga kushdo, pas nga ana ligjore e rregullatore nuk kemi asnjë pengese për asnjë njeri, sikundër ato karikuesit janë donacion nga një bankë dhe ambasada japoneze. Nuk kam asnjë formë si mund të pengoj një njeri apo tjetër. Për shkak të ankesave dhe diskutimeve ne i kemi frenuar taksitë duke u justifikuar se jeni biznese fitimprurëse dhe s’keni të drejtë të karikoni këtu” pohon Barçi.

Fiksi e pyet se pas këtyre ankesave që kanë bërë banorët, është ulur automati i të 3 pikave! “Ankesat kanë 2 vjet për ato taksitë aty. Unë vura një roje aty që kush karikon, ndërkohë që ato ankohen duan të karikojnë makinën e vetë. Do të çoj teknikët. Ne s’kemi kontratë si t’i mirëmbajmë. Nëse s’ka ndonjë gjë të rëndë do ti rregullojnë” shton ai.
Fiksi kontakton të nesërmen, ku mëson se pikat e karikimit janë rregulluar. Në përgjigjen me shkrim, Tirana Parking thotë se po bëhet një rregullore e dedikuar, e cila do të rregullojë në mënyrë të qartë përdorimin e tyre.

Deri në hartimin dhe miratimin e kësaj rregulloreje, “Tirana Parking” do të vijojë të detajojë dhe të përcaktojë mënyrën e përdorimit të këtyre pikave të karikimit, si nga subjektet ashtu edhe nga qytetarët, duke synuar një trajtim sa më të barabartë, transparent dhe efikas për të gjithë përdoruesit.
Sipas saj, “Tirana Parking” ka ndërmarrë masa këshilluese dhe informuese ndaj subjekteve taksi që përdornin pajisjet e karikimit të vendosura në parkimin nëntokësor. Pra, e pranon se ato pika janë përdorur nga taksitë, ndërkohë që largimi i taksive erdhi vetëm pas interesimit të Fiks Fare./TCH









