Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimet për atentatin e dështuar të 30 qershorit në Pogradec, ku mbeti i plagosur rëndë shtetasi Brian Syzo.
Policia e Korçës ka vënë në pranga dy persona të përfshirë në këtë histori, mes të cilëve vëllain e autorit të dyshuar si dhe vetë shënjestrën e atentatit.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se strukturat e hetimit të krimit në DVP Korçë kanë arrestuar 22-vjeçarin Edison Agolli.
Ai ishte shpallur në kërkim që prej ditës së ngjarjes, pasi akuzohet se ka qenë i pranishëm dhe ka bashkëpunuar me vëllain e tij dhe dy persona të tjerë në tentativën për të vrarë me armë zjarri Brian Syzon.
Mbi 22-vjeçarin rëndon akuza e rëndë “Vrasje me paramendim e kryer për interes, hakmarrje, e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim”.








