Policia e Shtetit ka përditësuar informacionin lidhur me aksidentin e rëndë rrugor të ndodhur rreth orës 15:00 në autostradën Durrës–Tiranë, në segmentin Qafë Kashar–Casa Italia, duke saktësuar se bilanci i ngjarjes është një viktimë dhe 12 të plagosur.
Sipas njoftimit zyrtar, viktima është drejtuesi i autobusit, R. H., 36 vjeç, banues në Kombinat, Tiranë.
Nga 12 pasagjerët e lënduar, 7 ndodhen në gjendje të rëndë, ndërsa 5 të tjerë kanë pësuar dëmtime të lehta dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Të gjithë po marrin trajtim mjekësor në spital.
Policia sqaron se konfuzioni në raportimin fillestar u krijua për shkak të situatës së rëndë në vendngjarje dhe transportimit të të plagosurve në disa spitale. Një fëmijë, i cili mbërriti pa shenja jete në një spital privat dhe fillimisht u raportua si viktimë, u rikthye në jetë falë ndërhyrjes së ekipit mjekësor. Më pas ai u transferua në Spitalin Ushtarak, ku vijon të marrë trajtim në kujdes intensiv.
Ndërkohë, grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit dhe për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes.







