Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit të një videoje nga Bazeli i Zvicrës, ku pretendohej se ai po shijonte qëndrimin jashtë vendit me shpenzime shtetërore.
Rama mohoi kategorikisht akuzat, duke deklaruar se në gati 30 vite jetë publike nuk ka kryer asnjë udhëtim privat me fondet e shtetit. Sipas tij, vizita në Zvicër ishte me ftesë private nga Art Basel, ku janë ekspozuar edhe veprat e tij artistike, ndërsa udhëtimi dhe qëndrimi janë paguar nga ai dhe bashkëshortja e tij.
Kreu i qeverisë theksoi se as familja e tij nuk ka bërë pushime jashtë vendit me para publike gjatë 13 viteve që ai ka qenë kryeministër. Duke iu referuar akuzave në rrjetet sociale, Rama u shpreh se shpifjet dhe akuzat pa prova janë bërë të zakonshme, ndërsa përsëriti se askush nuk mund të provojë se ai ka përfituar qoftë edhe një qindarkë në mënyrë të paligjshme.
“Qenka shpërndarë një video ku dikush më paska kapur mat duke pirë ujë në Basel të Zvicrës me shpenzimet e shtetit. Në thuajse tre dekada shërbim publik unë kurrë nuk kam udhëtuar privatisht me lekët e shtetit dhe e njëjta gjë vlen edhe për familjen time. Në 13 vjet në detyrën e kryeministrit unë dhe familja ime kurrë nuk kemi shkuar me pushime jashtë shtetit.
Në Zvicër isha i ftuar privatisht nga ArtBasel, panairi i përvitshëm i galerive më prestigjoze të artit në botë, ku janë prezantuar edhe vepra të miat. Kemi udhëtuar dhe qëndruar një ditë e gjysëm me bashkëshorten, si gjithnjë në këto raste plotësisht me shpenzimet tona. Por ky është një rast i mirë në kohën e duhur, për të vënë një pikë të qartë mbi “i”: Rreth njëzetë vite më parë, kur nuk më ishte regjur ende lëkura me baltën e shpifjeve e të akuzave pa hesap, pata vënë kujën publikisht duke thënë që “s’ka bir nëne a bir k…, që të gjejë në xhepin tim një qindarkë që s’është fituar me punë të ndershme”!
Sot, dy dekada më vonë, nuk jam më natyrisht ai 40 vjeçari i pamësuar ende me qenërinë e arenës plot baltë të jetës politike, i cili humbte gjumin nga plagët përvëluese të shpifjeve dhe akuzave kriminale. Por e them me krenari, se ajo fjali e lëshuar asokohe nga dhimbja e nga ndjenja e turpit përpara njerëzve të mi dhe të gjithë atyre që më kishin besuar drejtimin e Tiranës, qëndron 100% e paprekshme në përmbajtjen e saj edhe sot, përballë të gjithë atyre që më kanë besuar drejtimin e Shqipërisë.
Dhe mos e harroni asnjëherë: Kush shpif apo akuzon pa prova kundër jush, ose e ka bërë vetë atë për të cilën ju akuzon ose do ta bënte po të ishte në vendin tuaj, prandaj edhe gjelozia apo urrejtja ose të dyja bashkë e bëjnë t’i besojë çdo maskarallëku që nxjerr nga goja. Kur shoh se si bota ku jetojmë është bërë gjithnjë e më shumë falë rrjeteve sociale, lëndina ku ferrat e pafundme të rrenës shumohen me shpejtësinë e klikimit, ndërsa lulet e së vërtetës mbyten rëndom nga ferrat, më shkon gjithnjë mendja tek Librat e Shenjtë, ku shpifësi shfaqet edhe më i keq se vrasësi.”– shkruan Rama.
Kujtojmë se ish-shefi i Policisë Vlorë, Dritan Zagani publikoi një video të kryeministrit Edi Rama në lokalet e Zvicrës ku shkruante: “Sheshet e Tiranes plot, ky ha e pi ketej me leket tuaja….vazhdoni ju protestoni paqesisht se jeni pupull i kulturuar, ashtu si do ky”.







