Një operacion i përmasave ndërkombëtare i koordinuar nga Eurojust dhe Europol ka goditur një rrjet të dyshuar për pastrim parash në kriptomonedha në Gjeorgji, duke çuar në arrestimin e dy administratorëve të dyshuar dhe sekuestrimin e aseteve të shumta. Autoritetet evropiane njoftuan se platforma e njohur si “AudiA6” dyshohet se ka pastruar mbi 336 milionë euro të ardhura kriminale në kriptomonedha gjatë viteve 2022-2025.
Aksioni ka rikthyer vëmendjen te Gjeorgjia, një vend që së fundmi është përmendur edhe në hetimet që lidhen me dosjen e bujshme të call center-ave shqiptarë.
Sipas informacioneve të publikuara nga Maska.al, biznesmeni i shpallur në kërkim ndërkombëtar, Granit Pepnikaj, për të cilin Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, dyshohet se ka zhvendosur aktivitetin e tij pikërisht në Gjeorgji. Burime pranë hetimit kanë bërë me dije se pas goditjeve të njëpasnjëshme ndaj rrjeteve të call center-ave në Shqipëri dhe bashkëpunimit me autoritetet austriake, ekzistojnë indicie që një pjesë e aktivitetit është transferuar jashtë vendit.
Edhe pse autoritetet evropiane nuk kanë bërë asnjë lidhje zyrtare mes operacionit të fundit kundër pastrimit të kriptomonedhave dhe dosjes shqiptare të call center-ave, fakti që të dyja zhvillimet përqendrohen në Gjeorgji ka ngritur pikëpyetje mbi rolin që ky shtet mund të ketë marrë vitet e fundit si destinacion për aktivitete të dyshuara kriminale me karakter ndërkombëtar.
Në operacionin e zhvilluar më 10 qershor në Gjeorgji, autoritetet sekuestruan mbi 80 automjete, disa prona, më shumë se 30 serverë dhe mbyllën 25 domene interneti. Gjithashtu u ngrinë dhe u sekuestruan fonde në kriptomonedha me vlerë qindra mijëra euro.
Hetimi i Eurojust zbuloi se rrjeti i pastrimit të parave operonte përmes mijëra llogarive të rreme të hapura me identitete të vjedhura ose të blera. Mbi 6 mijë dokumente identifikimi të përdorura për hapjen e këtyre llogarive janë identifikuar nga autoritetet, ndërsa fondet kalonin përmes një rrjeti kompleks transaksionesh për të fshehur origjinën e tyre.
Ndërkohë, në Shqipëri vijojnë hetimet ndaj personave të dyshuar për mashtrimin e qytetarëve europianë përmes platformave të rreme të investimeve online. Sipas dosjes hetimore, dëmi i pretenduar nga aktiviteti i rrjetit të call center-ave llogaritet në mbi 50 milionë euro.
Burime pranë hetimit kanë bërë të ditur se autoritetet shqiptare po bashkëpunojnë me partnerët ndërkombëtarë për të gjurmuar lëvizjen e parave, për të identifikuar asetet dhe për të lokalizuar personat e shpallur në kërkim.
Megjithatë, deri më tani nuk ekziston asnjë konfirmim zyrtar nga Eurojust, Europol apo autoritetet shqiptare që lidh operacionin e fundit në Gjeorgji me Granit Pepnikajn ose me dosjen shqiptare të call center-ave. Çdo lidhje mes dy çështjeve mbetet në nivel indiciesh dhe informacioni që po verifikohet nga autoritetet hetimore./Marrë nga Report.al/








