Deputetet e Partisë Demokratike kanë ndërprerë fjalën e Ulsi Manjes me thirrjet “Rama, jep dorëheqjen”, slogan që është bërë simbol i protestave të ditëve të fundit kundër qeverisë.
Gjatë fjalës së Manjës në Kuvend, deputetet e opozitës kanë ngritur zërin duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa kanë artikuluar akuza ndaj qeverisë për mënyrën e qeverisjes, korrupsionin dhe gjendjen ekonomike në vend.
Përplasja në sallë erdhi pasi Manja deklaroi se Edi Rama do të vijojë të jetë kryeministër deri në vitin 2029, kur pritet të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Deklarata e tij shkaktoi reagimin e menjëhershëm të deputeteve demokrate, të cilat e kthyen sallën e Kuvendit në një jehonë të thirrjeve që prej ditësh dëgjohen në protestat e organizuara në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.








