Rolando Maran ka mbajtur fjalën e tij të parë pas prezantimit si trajner i ri i Shqipëria, duke theksuar mirënjohjen dhe emocionin për këtë detyrë të re.
“Dua të falënderoj presidentin që më dha këtë mundësi. Gjithashtu falënderoj Sylvinho për punën dhe për atë që ka ndërtuar në këto tre vite. E kam ndjekur nga afër Kombëtaren shqiptare dhe i kam të gjitha komplimentat e mia,” u shpreh Maran.
Trajneri italian theksoi se drejtimi i Shqipërisë është një përgjegjësi e madhe dhe një krenari personale, duke shtuar se synimi i tij është të përcjellë në fushë pasionin dhe identitetin e skuadrës kuqezi.
“Është një nder të drejtoj një kombëtare që përfaqëson një popull me krenari të madhe. Për mua është një angazhim moral dhe një emocion i madh. Dua të transmetoj në fushë atë që përfaqëson kjo fanellë dhe ky komb,” shtoi ai.
Trajneri italian, i njohur për eksperiencën e tij të gjatë në futbollin italian, ku ka drejtuar ekipe si Chievo Verona, Cagliari dhe Genoa në Serie A, përmendet si një profil me peshë për stolin kuqezi, për shkak të disiplinës taktike dhe stabilitetit që ka sjellë në karrierën e tij.








