Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të votojë një rezolutë të re që synon të adresojë kërcënimet ndaj lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një prej korridoreve më strategjike detare në botë, bëjnë të ditur burime diplomatike për AFP.
Sipas draftit të fundit, dokumenti i kërkon Iranit të ndalojë sulmet ndaj anijeve tregtare si dhe çdo veprim që pengon tranzitin e lirë dhe lirinë e lundrimit në këtë zonë kyçe detare.
Megjithatë, negociatat mes anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kanë sjellë ndryshime në tekst, pasi kundërshtimet nga disa shtete me të drejtë vetoje kanë detyruar zbutjen e gjuhës së rezolutës.
Në versionin aktual nuk parashikohet autorizim i drejtpërdrejtë për përdorimin e forcës, duke reflektuar mungesën e konsensusit mes fuqive të mëdha për mënyrën e trajtimit të tensioneve në rajon.








