Nga Etleva Merko
Politika e sotme, nën qeverisjen Rama është kthyer në një teatër cinik, ku qytetari përdoret si dekor çdo katër vite dhe hidhet në harresë, sapo mbyllen kutitë e votimit. Para kamerave fliten fjalë të mëdha, patriotizëm i madh dhe moral i lartë,por pas tyre bëhen pazare, ndahen pushtete dhe mbyllen gojë.
Kjo qeveri nuk qeveris për njerëzit, por për interesat e saj, për një rreth të vogël të privilegjuarish që jetojnë në luks, ndërsa shumica e qytetarëve rropatet për bukën e gojës. Një “elitë” e korruptuar, me jetë mondane ecën mbi hallet, varfërinë dhe lodhjen e qytetarëve të ndershëm.
Kur janë në pushtet, harrojnë popullin dhe kur janë në opozitë e kujtojnë vetëm për ta përdorur si alibi për akuzat e radhës.
Kjo nuk është qeverisje, është shfrytëzim.
Unë nuk besoj në fasadat e Edi Ramës, as në show-et e tij të çdo here. Besoj te njerëzit e zakonshëm që mbajnë këtë vend në këmbë çdo ditë, jo tek ata që e kanë kthyer shtetin në pronë private.
Por a është alternativë opozita sot?
A ka vizionin?
Një opozitë që flet kundër pushtetit, por nuk bind se do të qeverisë ndryshe, që denoncon korrupsionin, por nuk ka bërë kurrë paqe me përgjegjësitë e veta.
A po ngjall ajo shpresë?
Sot qytetari ndodhet në udhëkryq, mes një pushteti që e ka konsumuar besimin dhe një opozite që nuk e ka fituar ende betejën brenda vetes. Pikërisht këtu qëndron drama më e madhe e këtij vendi, mungesa e një alternative morale, politike dhe njerëzore.
Shpresa nuk lind nga rotacioni i emrave, por nga ndryshimi i mendësisë. Jo nga zhurma, por nga ndershmëria. Jo nga fjalimet, por nga shembulli. Derisa politika të çlirohet nga cinizmi, korrupsioni dhe egoja, qytetari do të vazhdojë të ndihet i vetëm…
Mjaft më me mashtrime.
Ky vend meriton më shumë se një qeveri që flet bukur dhe vepron keq.








