Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka bërë dje një sqarim zyrtar lidhur me rrethana procedurale të gjykimit të çështjes, në ngarkim të Erion Veliaj duke deklaruar se ky i fundit është njohur me aktet, duke iu vënë në dispozicion të gjitha kopjet e tyre.
Mbi njoftimin ka reaguar mbrojtja e zotit Veliaj, që pretendojnë se kjo nuk është e vërtetë, pasi sipas tyre “Veliaj nuk ka ende në dispozicion asnjë provë të dosjes”.
“Dosja përmban rreth 60.000 faqe, të cilat përfshijnë dokumente teknike, analiza financiare, transkriptime audio dhe materiale të tjera të dendura. Është fakt i njohur në literaturën shkencore se: një i rritur lexon rreth 50 faqe/orë në tekste të thjeshta; në materiale komplekse, ritmi bie në 10–20 faqe/orë. Vetëm për leximin e thjeshtë (jo për analizën juridike) të 60.000 faqeve, brenda 30 ditëve, duke punuar 8 orë në ditë, do të duheshin 20–40 avokatë me kohë të plotë, pa kryer asnjë detyrë tjetër. Një detyrë e tillë është objektivisht e pamundur në çdo sistem drejtësie dhe bie ndesh me standardin kushtetues dhe europian të proporcionalitetit dhe të “reasonable time” në përgatitjen e mbrojtjes”, shkruhet në reagim.








