Një gjykatës britanik ka thumbuar me ironi justifikimet e përsëritura të shqiptarëve të kapur me drogë në Mbretërinë e Bashkuar, duke vënë në pikëpyetje sistemin shëndetësor në Shqipëri.
Në Gjykatën e Lartë të Exeter, u shqyrtua rasti i Ilber Gjokë*, 30 vjeç, i kapur me 11 qese kokainë me vlerë 407 paund, të fshehura në të brendshmet e tij, si dhe 245 paund para të gatshme.
Ai pranoi se ishte përfshirë në tregtinë e drogës për të shlyer një borxh dhe për të ndihmuar babanë e tij të sëmurë në Shqipëri.
Pas dëshmisë, gjykatësi James Patrick komentoi me sarkazëm:
“Duhet të ketë shumë njerëz të sëmurë në Shqipëri. Është rasti i dytë sot që dëgjoj të njëjtën histori, herën e parë ishte për një nënë të sëmurë.”
Më herët, po i njëjti gjykatës kishte dënuar Argent Balën, i cili u kap duke kultivuar kanabis në një zonë industriale në South Brent, dhe kishte dhënë të njëjtin arsyetim: probleme ekonomike dhe familjare.
Gjykatësi shtoi me ironi se Shqipëria “nuk ka një Shërbim Kombëtar Shëndetësor”, duke lënë të kuptohet se shumë shqiptarë po e përdorin gjendjen shëndetësore të familjarëve si justifikim për veprimtari kriminale.
Ilber Gjoka, i cili rezulton pa precedentë penalë në Britani, u dënua me 20 muaj burg për posedim droge me qëllim shpërndarjeje. Gjykata pranoi se ai e kishte pranuar fajin që në fazat e para dhe se ndoshta do të vuajë 40% të dënimit, por u la të kuptohej se ai mund të dëbohet nga Britania pas përfundimit të vuajtjes së dënimit.








