Wednesday, July 22, 2026
  • Login
Maska.al
Advertisement
  • Kryesore
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • Ekonomi
  • BOTË
  • Rajoni
  • SOCIALE
  • OP-ED
  • SHOWBIZ
  • Sport
  • Kendi i Avokatit
No Result
View All Result
  • Kryesore
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • Ekonomi
  • BOTË
  • Rajoni
  • SOCIALE
  • OP-ED
  • SHOWBIZ
  • Sport
  • Kendi i Avokatit
No Result
View All Result
Maska.al
No Result
View All Result
Home AKTUALITET

Kostot e harresës: Dëmtimi i urës mbi Mat bllokon turistët dhe veriun

Lënia pas dore e urës së vjetër mbi lumin Mat, e cila lidh Lezhën me Shkodrën, ka përkeqësuar situatën e trafikut drejt Veriut të Shqipërisë – një zonë e diskriminuar nga investimet në rrugë përgjatë dekadës së fundit.

Redaktor Redaktor by Redaktor Redaktor
in AKTUALITET, KRYESORE
0
Kostot e harresës: Dëmtimi i urës mbi Mat bllokon turistët dhe veriun
0
SHARES
Share on FacebookShare on Twitter

Të premten e 8 gushtit, Oltioni, një emigrant shqiptar i kthyer për pushime nga Italia, u nis nga Lezha drejt aeroportit të Rinasit në orën 15:00. Fluturimi për në Itali ishte planifikuar në orën 20:30, por ai e humbi atë.

“Në orën 20:30 kisha avionin dhe llogarita të nisesha rreth 5 orë para nga Lezha, që të mbërrija në kohë në Rinas. Por 5 orë nuk mjaftuan për të përshkuar 40 km rrugë, pasi trafiku ishte i jashtëzakonshëm dhe ngela i bllokuar,” thotë i riu.

Humbja e avionit i kushtoi atij 400 eurot e biletës dhe andralla të tjera.

“Kjo situatë është e papranueshme dhe nuk kishte ndodhur më parë në këtë përmasë,” shtoi ai.

Që prej fundit të muajit korrik, rrugët që përshkojnë qarkun e Lezhës përballen me një fluks të jashtëzakonshëm mjetesh, çka ka sjellë kaos dhe paralizim të lëvizjes. Situata e rënduar e trafikut u përkeqësua më tej nga mbyllja e urës së vjetër mbi lumin Mat, për shkak të dëmtimeve të rënda që ka pësuar në themelet e saj.

“Ura auto-hekurudhore e Milotit me një gjatësi prej 788 metrash paraqet një rrezik serioz për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e kalimit, për shkak të dëmtimeve në themelet mbështetëse dhe erozionit të theksuar”, njoftoi Autoriteti Rrugor Shqiptar vendimin e mbylljes së urës.

Por mbyllja “e papritur” e urës në mes të sezonit turistik, pavarësisht se gjendja e rënduar e saj është e njohur botërisht prej vitesh, tregon sipas ekspertëve mungesë të përgatitjes dhe neglizhencë me përgjegjësi penale të autoriteteve.

“Në një situatë normale, ministria përgjegjëse dhe enti përkatës shtetëror do të duhej të kishin administruar rregullisht të gjitha objektet e infrastrukturës rrugore dhe gjendjen teknike të urave, ndërsa mirëmbajtjen dhe mundësimin e sigurisë së tyre do të duhej ta shihnin si detyrim parësor ligjor dhe kushtetues,” tha Zef Preçi,  drejtor i Institutit për Studime Ekonomike.

Harresa

Autoritetet kanë vendosur bllokadë prej betoni mbi urë për shkak të dëmtimeve. Foto: Elvis Hila.

Në komunikimin e saj për mediat për bllokimin e urës, ARRSH vë në dukje se dëmtimi i saj vinte si pasojë e shfrytëzimit të pakontrolluar të zhavorrit dhe gërryerja në shtratin e lumit.

Por situata nuk ishte e papritur. Banorët e zonës dhe përdoruesit e urës kanë vite që ankohen për dëmet në strukturën e saj.

Në fakt, pamjet filmike të dëmtimeve të urës dhe lajmet se ura rrezikonte shembjen janë bërë publike në vitet 2019, 2021 dhe 2024. Dhjetë ditë para vendimit të ARRSH për ta mbyllur urën deri në rikonstruksionin e saj, pati një tjetër kronikë televizive që tregonte situatën e rënduar të urës së ndërtuar në vitin 1987.

Pamjet filmike në vite të ndryshme tregojnë të njëjtën situatë në urë dhe janë dëshmi e neglizhencës dhe mungesës së mirëmbajtjes ndër vite. Ato po ashtu janë dëshmi e dështimit të vënies nën kontroll të shfrytëzimit të pakontrolluar të shtratit të lumit për inerte, pavarësisht se edhe kjo është një çështje e denoncuar dhjetëra herë.

Harresa dhe vendimmarrja e beftë për bllokimin e rrugës u kritikua ashpër nga Ipeshkvi i Rrëshenit, Dom Gjergj Meta.

“A kontrollon kush me kohë gjendjen e urave që të ndërhyhet preventivisht e të mos bllokohet një aks që është valvul shkarkuese e rëndësishme sidomos në këtë periudhë?”, shkroi Dom Meta në Facebook pas lajmit për bllokimin e urës.

Ai tha se vendimi ishte bërë pa lajmërim paraprak dhe në mes të fluksit, duke shkaktuar bllokim të zonës. “Asnjë llogaridhënie, asnjë lajmërim paraprak”, shkroi Meta.

Nga ana e tij, Preçi thotë se ndaj atyre që kanë neglizhuar detyrimet për mirëmbajtjen dhe garantimin e sigurisë së urës duhej të kishte hetime, ndërsa ngre akuza se harresa mund të mos jetë e paqëllimshme.

“Në këtë këndvështrim, lënia pas dore që të shkatërrohet ura mund të jetë edhe hapi i parë përgatitor për ndonjë tender të fortë të paracaktuar shumëmilionësh dhe mbetet të shohim se cili do të jetë “oligarku” i radhës që do të pasurohet falë vendimmarrjeve klienteliste dhe të dyshuara gjerësisht për korrupsion në infrastrukturën rrugore të vendit”, tha ai, duke shtuar se ky nuk ishte rasti i parë i braktisjes së qëllimshme të objekteve të infrastrukturës, për të favorizuar dhënie tenderash.

Veriu i diskriminuar

Në aksin që lidh Lezhën me Shkodrën, makinat qëndrojnë me orë të tëra në trafik. Foto: Elvis Hila.

Mbyllja e urës së vjetër mbi lumin Mat në kulmin e sezonit e rëndon edhe më tej aksin e rrugës që lidh Tiranën me Lezhën dhe Shkodrën.

Sipas të dhënave të Policisë Rrugore, mbi 100 mijë mjete kalojnë çdo 24 orë në rrugët që përshkojnë Lezhën, ndërsa gjatë fundjavave ky numër rritet ndjeshëm për shkak të fluksit drejt bregdetit. Për të përballuar situatën, Policia Rrugore ka shtuar prezencën në terren dhe patrullat janë vendosur në pikat më kritike. Megjithatë, kjo nuk ka mjaftuar për të shmangur kaosin.

“Qarku i Lezhës është një transit për gjithë veriun. Në sezonin veror kalojnë mbi 100 mijë mjete në 24 orë. Edhe pse shërbimet e Policisë janë në të gjitha kryqëzimet, është tepër e vështirë të shmangim trafikun,” tha Valmir Nikolli, shef i Qarkullimit Rrugor në Lezhë.

Aksi më problematik mbetet rruga Laç-Lezhë, ku për të përshkuar vetëm 20 km qytetarëve u nevojiten nga 2 deri në 4 orë kohë.

“Jam prej dy orësh e gjysmë në këtë rrugë, kam ardhur nga Nju Jorku, jam e lodhur prej 24 orësh. Edhe temperaturat na mbytën,” tha një udhëtare të cilën e takuam të dielën ndërsa ishte e bllokuar në trafik në aksin Laç-Lezhë.

Ndërkohë, një qytetar nga Kosova, i nisur me familjen për pushime në Shëngjin, tregoi se po qëndron në trafik prej më shumë se 6 orësh.

“Vijmë prej Vushtrisë për të bërë plazh në Shqipëri. Trafik, tmerr. Ndoshta në mbrëmje do mbërrijmë. Kurrë më parë nuk më ka ndodhur të pres kështu. S’po dimë as si do kthehemi në Kosovë,” tha ai.

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, e cilëson situatën si të paprecedentë dhe fajësoi mbylljen e urës.

“Kriza e qarkullimit është krijuar më shumë nga mbyllja e urës së vjetër mbi lumin Mat – një rrugë alternative jetike”, tha ai. Gjoni tha se kjo situatë ishte pasojë e braktisjes së veriut të vendit nga qeveria. “Në temperatura mbi 40°C, udhëtarët vuajnë, bizneset humbasin klientë, dhe imazhi i vendit për turistët e huaj po shkatërrohet. Ky është pasqyra e qartë e një qeverie që ka braktisur veriun”, tha deputeti i zgjedhur i opozitës.

Situata u ngrit nga opozita edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Lezhës. Kryetari i Bashkisë, Pjerin Ndreu, në përgjigje të shqetësimeve të opozitës tha se do kishte ndërhyrje të shpejtë dhe se ura do hapej për mjetet e vogla. “Ka ardhur zv/ministri, drejtori i rrugëve dhe deputeti Kadeli. Ka premtim që do të aksesohet ura për mjetet deri në 3.5 ton, por kjo nuk mund të bëhet menjëherë,” u shpreh Ndreu.

Megjithatë në këshill, Ndreu tha se po punohej për zgjidhje afatgjatë. “Do lobojmë fort për ndërtimin e autostradës Milot–Balldren, pasi është e vetmja zgjidhje për trafikun e Lezhës”, tha ai.

Planet e qeverisë për të ndërtuar këtë aks me koncesion kanë dështuar disa herë që prej vitit 2018. Një tender i fundit u anulua vetëm disa javë më parë për shkak se, sipas Ministrisë së Infrastrukturës, ofertat nuk përmbushnin kërkesat e vëna. Qeveria megjithatë njoftoi të hënën rihapjen e garës për këtë segment që parashikohet të kushtojë 364 milionë euro dhe të jepet me koncesion për 35 vjet.

Megjithatë për opozitën kjo garë e re nuk sjell shpresë. “Qeveria po mashtron prej 12 vitesh për ndërtimin e aksit Milot-Balldren”, tha deputeti i zgjedhur Gjin Gjoni. Ai tha se situata aktuale ishte shenjë e një neglizhence dhe “një diskriminim i hapur për këtë zonë”.

Pesimist për ndërtimin e segmentit është edhe Preçi, i cili i tha BIRN se zona veriore e vendit ishte lënë pas dore sa i përket investimeve në infrastrukturë dhe se qeveria kishte bërë investime elektorale, por jo të dobishme.

“Në këtë këndvështrim, pasojat e vonesës në zgjerimin e kësaj rruge nuk i shoh të lidhura ngushtë vetëm me stinën e turizmit apo me boom-in e dy-tre viteve të fundit. Unë i shoh si një injorim të interesave themelore ekonomike të banorëve të Shqipërisë së Veriut, që nuk mund të justifikohen me investimin që lidh Shëngjinin me Velipojën”, tha ai duke iu referuar segmentit Milot-Balldre.

/Reporter.al/

Previous Post

Kostot e harresës/ Dëmtimi i urës mbi Mat bllokon turistët dhe veriun

Next Post

Arrestohet 20-vjeçari belg në Rinas, do të ekstradohet drejt Maltës

Next Post
Arrestohet 20-vjeçari belg në Rinas, do të ekstradohet drejt Maltës

Arrestohet 20-vjeçari belg në Rinas, do të ekstradohet drejt Maltës

Kamerat e sigurisë “fundosin” zyrtaret e Postës! Pamjet tregojnë lëvizjet e thasëve me para nga arka drejt zyrës së drejtoreshës
AKTUALITET

Kamerat e sigurisë “fundosin” zyrtaret e Postës! Pamjet tregojnë lëvizjet e thasëve me para nga arka drejt zyrës së drejtoreshës

by Redaktor Redaktor
July 19, 2026
0

Pamjet e kamerave të sigurisë janë një nga provat mbi të cilat Prokuroria mbështet dyshimet për përvetësimin e 69 milionë...

Read moreDetails
Doganierë të përfshirë? Skandali në Postën Shqiptare, Elisabeta Mataj tentoi të fshihej: Çfarë u zbulua në TIMS

Doganierë të përfshirë? Skandali në Postën Shqiptare, Elisabeta Mataj tentoi të fshihej: Çfarë u zbulua në TIMS

July 19, 2026
Policia fsheh ngjarjen e rëndë?! Aksidenti i rëndë, një person në koma, asnjë sqarim nga uniformat blu

Policia fsheh ngjarjen e rëndë?! Aksidenti i rëndë, një person në koma, asnjë sqarim nga uniformat blu

July 21, 2026
Detaje të reja nga atentati në Elbasan, kush ishin shënjestrat dhe si u plagos kamarieri 19-vjeçar

Detaje të reja nga atentati në Elbasan, kush ishin shënjestrat dhe si u plagos kamarieri 19-vjeçar

July 21, 2026
Atentat në Pogradec/ Kapet personi që siguroi vëzhgimin e shënjestrës, arrestohet edhe i plagosuri Brian Syzo

Atentat në Pogradec/ Kapet personi që siguroi vëzhgimin e shënjestrës, arrestohet edhe i plagosuri Brian Syzo

July 17, 2026
Facebook TikTok
Maska.al

Maska.al

Tel: 0696118290
Email: [email protected]

Shfletoni sipas Kategorisë

Lajmet e fundit

‘Po zbrazet vendi’, sondazhi i IRI godet qeverinë: Emigrimi dështimi numër një, pas tij korrupsioni dhe çmimet

‘Po zbrazet vendi’, sondazhi i IRI godet qeverinë: Emigrimi dështimi numër një, pas tij korrupsioni dhe çmimet

July 21, 2026
Kush përfiton nga “investitori strategjik”?

Kush përfiton nga “investitori strategjik”?

July 21, 2026

© 2023 Maska.al

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
No Result
View All Result
  • Kryesore
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • Ekonomi
  • BOTË
  • Rajoni
  • SOCIALE
  • OP-ED
  • SHOWBIZ
  • Sport
  • Kendi i Avokatit

© 2023 Maska.al