Motër e vëlla, Petrit Maho dhe Merita Sheqi përfaqësojnë fenomenin më të rrezikshëm të korrupsionit me tenderat e Shëndetësisë. Në llogaritë e të cilit kalojnë miliona euro para publike.
Vetëm me kompanitë “Rejsi Farma” dhe “Intermed”, kanë marrë rreth 750 tendera vitet e fundit në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në spitale. Pjesë organizimit të biznesit të tyre janë “Intermed”, “Rejsi Farma”, “Noval”, “Noval Laboratory”, “Beata” dhe “Vetal”, me të cilat kanë marrë koncesione dhe tendera korruptiv. Në këto tendera pjesa dërrmuese janë praktika korruptive në mosrespektim të ligjeve anti-korrupsion nga zyrtarët që i favorizojnë.
Në tenderat që futet “Rejsi Farma” nuk paraqitet asnjë kompani sepse fituesi është i paracaktuar. Prokurimi i fundit, për ilaçet e Onkologjikut tregon se si ky klan familjar e ka kapur Shëndetësinë për fyti.
Bëhet fjalë për tenderin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” me objekt “Blerje bari Daratumumab, 400 mg, flakon” me afat 24-muaj ( Artikuj farmaceutikë).
Ndërsa fondi limit që arkëton operatori fitues është 610 478 800,00 lekë pa TVSH. Tenderi është mbajtur më 13 mars 2025 dhe vetëm pas 6 ditëve është shpallur fituesi. Në këtë procedurë prokurimi ka marrë pjesë vetëm Rejsi FARMA SHPK, e cila ka bërë ofertë sa 99% e fondit limit, 610 448 000,00 lekë pa TVSH. Me shpejtësi të madhe, nën justifikimin se ky është një ilaç shumë i kërkuar për sëmundjet e kancerit, kontrata është firmosur më 2 prill 2025.
Ky është dokumenti që saktëson se vetëm 15 % e kontratës do të furnizohet menjëherë, pjesa tjetër për dy vjet. Të mjerët pacientë të Onkologjikut që varen nga këto lloj kontratash me një kompani që e ka zakon të sjellë ilaçe të skaduara.
Kjo ishte një nga gostitjet e fundit që bëri ish-drejtoresha e QSUT, Alma Cani, e cila dy javë më pas do të zëvendësohej nga Donjeta Bali.
Tenderi është shënuar nga Open Data Albania me “Flamur të kuq”, që është shenja e riskut të korrupsionit.
Para ikjes, ish-drejtoresha ndau tenderat si karamele për oligarkët
Para largimit ish-drejtoresha Cani e mbushi plot depon e spitalit me ilaçe, që le të shpresojmë të mos jenë në prag të skadimit, siç ka ndodhur në të kaluarën. Koktejli i largimit është një festë e vërtetë me tendera. Kështu Rejsi Farma është sërish pjesë e tortës së tenderit 400 milionë lekësh për blerje ilaçesh, një procedurë që më parë ishte anuluar.
Përshkrimi i shkurtër i kontratës është “Blerje barna te anuluara për mbulimin e nevojave 24 mujore”, me fond limit 36,835,425.13 leke pa TVSH.
Këtë kontratë kanë lote edhe Fufarma e oligarkut Isuf Berberi dhe “PEGASUS.” e Janis Karathanos.
Në këtë valë tenderash, është qerasur edhe Ermal Rizaj, pronari i “O.E.S DISTRIMED” Sh.p.k. Ky ka marrë tenderin 174,998,980 leke pa TVSH ku ka pasur mungesë totale konkurrence. Tenderi kishte objekt “Blerje materiale mjekësore specifike për QSUNT për 24 muaj”.
Merita Sheqi, e preferuara e ministres Koçiu
Kur vjen fjala tek tenderat e Ministrisë së Shëndetësisë. Merita Sheqi merr pjesën e luanit. Në 10 shkurt 2025, komisioni i tenderit i autorizuar nga ministrja Albana Koçiu ka dhënë 5.7 milionë euro në një procedurë me një pjesëmarrës, për barba që mund të blihen me çmime 30% më të lira.
Kështu është vepruar në tenderin me objekt “L ot5 Ixazomib B4- Blerje barna të reja për nevojat e spitaleve”, ndarë në 15 lote – Marrëveshje Kuadër me disa operatorë ekonomik (një OE të vetëm të suksesshëm për sejcilin lot)- ku të gjitha kushtet janë të përcaktuara – me afat 24 muaj” me fond limit/vlera e pritshme e kontratave në total prej 919,695,241 Lekë pa TVSH. AK/Spitali, QSUT, QSR “Shefqet Ndroqi”, SUT”.
Në lojë ishin 563 536 612,00 lekë që ishin paracaktuar për kompaninë “Rejsi Farma” shpk. Edhe ky tender është vlerësuar me flamur korrupsioni.
KLSH: “Rejsi Farma” depo barnash të skaduara
Një raport i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit zbulon se Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, sidomos kur ishte ministre Ogerta Manastirliu, në bashkëpunim me depot farmaceutike, një rrjet farmacish dhe mjekësh, janë përfshirë në skema mashtrimi dhe shkeljesh të rënda me barna të skaduara, receta fiktive dhe skema të tjera zhvatje.
Në listën e depove farmaceutikë të mbushura me ilaçe të skaduara, të cilat mund të hidhen në treg dhe të përfshihen në skemën e rimbursimit, është edhe Rejsi Farma (J91419001U). Gjatë kontrollit që ka kryer FSDKSH, në 21 dhjetor 2022, në depon importuese farmaceutike Rejsi Farma janë konstatuar 18 medikamente të skaduara, në sasinë 12 mijë copë, me vlerë mbi 400 mijë euro.
Afati i skadencës për këto ilaçe të rimburueshme kishte kaluar mbi 1 vit. Sipas KLSH-së, për këto medikamente nuk ka një dokument ose proces-verbal të lëshuar nga autoritetet kompetente si dhe nuk është kryer procedura e rregullt për nxjerrjen jashtë përdorimit të tyre, duke mos njoftuar Drejtorin Rajonale Tatimore përkatëse nën juridiksionin të cilës i përket, si dhe duke mos marrë miratim nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, sipas përcaktimeve ligjore.
Për këto barna nga grupi i kontrollit është mbajtur proces-verbali me shkrim dore, i pa shoqëruar më evidenca fotografike të mjedisit të veçuar dhe të barnave me mbishkrimin të skaduara, veprime të cilat janë në kundërshtim me ligjin dhe favorizuese për subjektin Rejsi Farma.
Jo vetëm kaq. Por, grupi i kontrollit (Shpend Stajku, Enida Hoxhaj, Evarist Jaku, Bledar Gallushi dhe Dorjan Hysi) ka përzgjedhur vetëm 55 bama që ka dashur Merita Sheqi nga 146 barna të miratuara sipas kontratës së lidhur midis subjektit “Rejsi Farma” SHPK dhe FSDKSH-së.
KLSH ka konkluduar se “mungesa e kryerjes në kohë dhe të dokumentuar sipas përcaktimeve të kuadrit rregullator tatimor dhe të marrëveshjes kontraktuale për rimbursim në rastin e daljes së barnave jashtë përdorimit, sjell risk në gjendjen e saktë reale inventariale të barnave të rimbursueshme sipas LBR-së, si dhe në nivelin e rimbursimit të përfituar nga Depo-Importuese “Rejsi Farma”, dhe gjithashtu riskun e rifutjes në qarkullim të barnave të skaduara me qëllim përfitimin e rimbursimin, por me pasoja në shëndetin e pacientëve“.
/Gijotina.com/