Një figurë e re, por gjithnjë e më dominuese në krimin e organizuar në jug të vendit, është duke ngritur një perandori të heshtur në Ksamil dhe Sarandë, duke sfiduar hapur edhe ikonat e vjetra të kësaj zone, si Andrea Çaushi (alias Renato Çaushi).
Bëhet fjalë për Bekim Bulicën, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare dhe ndërkombëtare, i cili rezulton i skeduar për një listë të gjatë veprash penale: kanosje, armëmbajtje pa leje, trafik ndërkombëtar droge, dhunë, pastrim parash, ndërtime pa leje dhe korrupsion aktiv.
Nën monitorim prej më shumë se një viti nga SPAK dhe BKH, Bulica ka konsoliduar pozitat si figurë dominuese e krimit në Ksamil, duke ngritur një strukturë të dyfishtë: një investim luksoz që shërben si mbulesë dhe një rrjet të shpërndarjes së drogës dhe pastrimit të parave, të shtrirë në bashkëpunim me persona të përfshirë në veprimtari kriminale.
Pika qendrore e kësaj skeme është lokali luksoz “Principotes & Tulum Resto Lounge”, i ndodhur përballë “Tre Ishujve” në Ksamil. Lokali është ndërtuar mbi një zonë të zaptuar në bregdet, me leje të siguruara përmes korrupsionit në bashkinë e Sarandës dhe strukturat e policisë lokale.
Në këtë ambient, mblidhen eksponentë të trafikut të drogës, persona në kërkim ndërkombëtar dhe vajza të përfshira në rrjete prostitucioni luksoz, të njohura si “vajza Dubai”.
Restoranti është regjistruar në emër të një të afërmi të Bulicës, përmes një kompanie fantazmë të krijuar në janar 2022 me kapital fillestar vetëm 100 lekë, me NIPT: M23719801I.
Sipas burimeve, kjo kompani është përdorur për të lëshuar fatura fiktive në vlera qindra mijëra euro, të cilat dyshohet se mbulojnë transaksione të pastrimit të parave nga trafiku i drogës.
Pavarësisht se është nën monitorimin e agjentëve të BKH-së, të infiltruar si turistë në verën e kaluar, SPAK ende nuk ka ndërmarrë asnjë veprim penal, edhe pse Bekim Bulica është subjekt i ligjit anti-mafia, me një dosje voluminoze që përfshin:
Arrestim në Francë në vitin 2021 dhe ekstradim në Shqipëri për tentativë vrasjeje ndaj shtetasit F.C.
Korrupsion të prokurorit dhe gjyqtarit të çështjes, që i mundësuan lirimin e shpejtë.
Pjesëmarrje në planin e arratisjes së Arbër Çekajt nga burgu 313 në Tiranë.
Organizim i sulmit ndaj policit Ervin Fanaj dhe vëllait të tij, në shtator 2023 në zonën e Kombinatit, për shkak të prishjes së pazareve të drogës.
Grupi i sulmit përfshinte: Bekim, Blerim, Besart dhe Shaban Bulica, si dhe Benard Aliaj.
Dosja u mbyll pa hetim të plotë, e deformuar nga prokuroria.
Aktualisht, Bulica ka siguruar kontroll mbi një prej zonave më strategjike të turizmit në jug, duke kapur institucione, korruptuar inspektorate dhe ndërtuar një linjë të paligjshme fitimi, në zemër të një nga destinacionet më të vizituara të Shqipërisë.
Nëse SPAK nuk reagon, atëherë nuk jemi më përballë një rasti kriminal, por përballë një dështimi institucional të planifikuar.
/Pamfleti/