Gazetari amerikan i “Politico”, Marc Caputo ka njoftuar përmes një njoftimin në llogarinë e tij në platformën “X” se Departamenti Amerikan i Shtetit ka lejuar Sali Berishën të udhëtojë për në SHBA.
“E pyeta Departamentin e Shtetit për statusin e vizës së Berishës dhe më thanë se ai mund të vijë në SHBA” – shkruan gazetari që publikon edhe përgjigjen e DASH.
“Ne japim rregullisht përjashtime për të lehtësuar udhëtimin e individëve të caktuar në SHBA, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe interesat tona kombëtare. Si e tillë, ne nuk do të lejojmë që interesat tona të politikës së jashtme apo marrëdhëniet me Shqipërinë të mbahen peng nga vendime të politizuara të epokës së Biden-it” – thuhet në reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit dërguar për gazetarin.
Caputo ka shpërndarë edhe një shkrim të gazetës “Wall Street Journal” ku ka dhënë një intervistë drejtuesi i fushatës së PD-së, Chris LaCivita.
Sali Berisha dhe statusi “non grata”
Në maj 2021, Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli Sali Berishën dhe familjen e tij “persona non grata”, duke e akuzuar për përfshirje në korrupsion të rëndësishëm dhe pengim të drejtësisë . Ky vendim u bazua në nenin 7031(c) të Aktit të Përvetësimeve të Departamentit të Shtetit, i cili ndalon hyrjen në SHBA të individëve të përfshirë në korrupsion të rëndësishëm ose shkelje të rënda të të drejtave të njeriut .
Berisha ka mohuar akuzat dhe ka deklaruar se ato janë të motivuara politikisht, duke akuzuar filantropin George Soros për përhapjen e këtyre pretendimeve. Ai ka ndërmarrë hapa ligjorë kundër Sekretarit të Shtetit Antony Blinken për shpifje dhe ka shprehur synimin për të lobuar pranë administratës Trump për të rishikuar këtë vendim.