Një operacion i madh antidrogë në Itali dhe Spanjë ka çuar në arrestimin e 28 personave, të përfshirë në një rrjet të organizuar trafikantësh droge.
Hetimet kanë zbuluar se grupi trafikonte sasi të mëdha droge: mbi 1 ton kokainë dhe 1.5 ton hashash, të cilat shpërndaheshin në disa shtete evropiane. Rrjeti përdorte porte të kontrolluara nga grupet kriminale dhe sisteme të koduara komunikimi për të shmangur përgjimet.
Mes të arrestuarve është edhe një shqiptar, Riza Muco, 37 vjeç, i cili dyshohet se ishte pjesë e këtij rrjeti. Ai akuzohet se furnizoi dy bashkëpunëtorë me 10 kilogramë drogë të gatshme për shitje, si dhe se mori pjesë në organizimin e trafikut të kokainës, hashashit dhe marijuanës. Prokuroria italiane e konsideron Mucën pjesë të organizatës mafioze të udhëhequr nga klani Marando, pjesë e Ndrangheta-s.
Muco ndodhej në gjyq në Latina së bashku me dy të tjerë, Vincenzo Zizzo dhe Pasquale Spirito. Zizzo akuzohet se ka porositur një sulm me zjarrvënie ndaj kryetarit të bashkisë së Lenola-s, ndërsa Spirito dhe Muco akuzohen për trafik droge.
Pesë nga të arrestuarit u ndaluan në Spanjë. Operacioni, i koduar “Anemone”, konsiderohet si një nga goditjet më të mëdha ndaj bashkëpunimit mes mafias italiane dhe rrjeteve shqiptare të trafikut të drogës.