Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të enjten më 19 qershor përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të gjashtë zyrtarëve të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH, të akuzuar për shkelje të barazisë në tenderin për Lotin 1 të Unazës së Re, me fond limit 2 miliardë e 250 milionë lekë, pa TVSH. Sipas SPAK, zyrtarët kanë shkelur ligjin në tenderin me vlerë 22 mln euro për “Rehabilitimin e segmentit rrugor “Mbikalimi pallati me shigjeta – Rrethrrotullimi Shqiponja”, tender i fituar nga bashkimi i operatorëve ekonomikë: Salillari SHPK– Bajrami N. SHPK.
Organi i akuzës i akuzon 6 zyrtarët se gjatë procedurës tenderuese kanë favorizuar kompaninë ‘Salillari’ të Pëllumb Salillarit për të fituar tenderin, edhe pse nuk kishte ofertën më të mirë. Të gjithë operatorët konkurrues u përjashtuan nga kjo procedurë, përfshirë edhe atë me ofertën me vlerën më të ulët.
Të pandehur janë marrë Arbër Troka, Miranda Shkurti, Nikollaq Mihali, Almir Hoxhaj, Erion Zemenaj dhe Admir Pahumi, që janë marrë përgjegjës për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Sipas SPAK, hetimi bën fjalë për procedurën e prokurimit me objekt: “Rehabilitim i segmentit rrugor “Mbikalimi pallati me shigjeta – Rrethrrotullimi Shqiponja”, Loti 1, me fond limit 2 miliardë e 250 milionë lekë pa TVSH, i vitit 2019. Hetimi është ndarë nga një procedim tjetër i regjistruar pranë SPAK në vitin 2022.
“Nga analizat e provave dhe të dhënave të grumbulluara, rezulton e provuar se gjatë kryerjes së procedurës së mësipërme të prokurimit, e zhvilluar nga ARRSH, të pandehurit në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kryer një sërë veprimesh në shkelje të procedurës, duke dëmtuar interesat ligjore të shtetit”, citohet në vendim.
Tenderi i parë për ndërtimin e këtij aksi të Unazës së Re, me fond limit po prej 2.25 miliardë lekësh, u hap në shtator 2018 dhe u fitua nga kompania DH Albania, një kompani fantazmë.
Pasi në emisionin TPZ u publikuan të dhëna që tregonin se kompania ishte me të vërtetë fantazmë dhe se ajo kishte furnizuar në ARRSH një tufë me dokumente të falsifikuara, u nis hetimi. ARRSH pranoi atëherë se dokumentet ishin të falsifikuara dhe vendosi të rihapë tenderin, që dështoi disa herë të shpallte fitues bashkimin e operatorëve Salillari shpk dhe Bajrami N shpk. Gjatë procesit të prokurimit, u skualifikuan të gjithë operatorët e tjerë konkurrues, përveç fituesit.
Hetimi i mëparshëm për këtë aferë i kryer nga Prokuroria e Tiranës ngriti akuzë vetëm 28-vjeçarin Avdjol Dobi, administrator i kompanisë DH Albania për falsifikim në përfitimin e dy tenderave me vlerë totale 3.4 miliardë lekë. Dobi u dënua me 6 muaj burg, ndërkohë që prokuroria pushoi hetimet për zyrtarët e ARRSH, OST dhe Ministrisë së Infrastrukturës e Energjisë./Replike.al