2015-2025, Shqipëria në mesin e 10 vendeve për rritjen më të lartë të çmimeve të ushqimeve në Europë
Shqipëria renditet e 10 -ta në rreth 40 vende të Europës për rritjen e lartë të çmimeve të ushqimeve ndërmjet 2015-mars 2025.
Të dhënat që burojnë nga Indeksi i Harmonizuar që BE përdor për të krahasuar ndryshimin e çmimeve në Europë tregon se që nga 2015-ta, Turqia kryesoi për rritjen e lartë të inflacionit të ushqimeve për shkak të valëve të inflacionit të viteve të fundit (shiko grafikun e mëposhtëm) dhe në anën tjetër Zvicra kishte rritjen më të ulët.
Indeksi shqiptar i çmimeve të ushqimeve dhe pijeve jo alkoolikë shënoi në mars të këtij viti 167 % (2015=100), çka do thotë se nga viti 2015 deri në mars 2025 çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë rritur me 67 për qind një nga nivelet më të larta në Europë.
Çmimet e ushqimeve në Shqipëri u rriten 14% më shumë se mesatarja e BE-së në këtë periudhë. Eurostat e rendit Shqipërinë në vendin e 10 në 40 ekonomi, teksa para nesh renditet vende me zhvillime jo të zakonta, me inflacion shumë të lartë (p.sh. Turqia 1,470, Hungaria 210).
Shqipëria gjithashtu kishte rritjen më të fortë të çmimeve edhe në Rajonin e Ballkanit, duke përjashtuar Serbinë.
Rritja më ritme të lartë të çmimeve të ushqimeve në krahasim me vendet e tjera në Europë dëmton e konvergjencën afatgjatë ( arritjen e standardeve të jetesës së BE).
Në njërën anë presioni në konsum nga vizitorët e huaj dhe në tjetrën plakja e popullsisë po krijojnë një mjedis me çmime më të larta edhe në vijimësi. Zhvillimet pozitive në turizëm nuk po nxisin prodhimin bujqësor dhe vendi ka rritur varësinë e furnizimeve me ushqime nga importi vitet e fundit. Teksa kjo varësi po rritet mungojnë politikat që adresojnë kostot strukturore të zinxhirit të furnizimit ushqimor.
Për të zbutur pasojat e inflacionit të lartë pas luftës në Ukraine të gjitha vendet europiane, përfshirë edhe ato të rajonit aplikuan politika agresive në rritjen e pagave dhe pensioneve. Shqipëria ka bërë disa ndërhyrje sidomos në sektorin publik, por ende mbetet pas.
Në Shqipëri, paga mesatare mujore bruto për vitin 2024, sipas INSTAT, arriti në 77.5 mijë lekë/ muaj, ose rreth 770 euro. Paga më e lartë mesatare mujore bruto është në Serbi, më 1150 euro në muaj (135,403 dinarë serbë). Në Bosnjë dhe Hercegovinë, paga është gati 1100 euro (2140 Bam). Në Mal të Zi paga është 1083 euro. Edhe Maqedonia e Veriut paguan mesatarisht punonjësit me më shumë se një mijë euro në muaj, konkretisht 62 mijë dinarë maqedonas, ose 1020 euro në muaj./MONITOR