Qarku i Kukësit është i pari në vend që ka përfunduar procesin e numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, brenda një afati 24-orësh. Rezultatet zyrtare konfirmojnë fitoren e bindshme të Partisë Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM) në këtë qark verior.
PD-ASHM ka siguruar 19,845 vota, që përbëjnë 53.4% të totalit të votave të vlefshme, duke lënë pas Partinë Socialiste, e cila ka marrë 11,322 vota ose 30.5%. Ky rezultat e përkthen suksesin elektoral të opozitës në 2 mandate parlamentare për PD-ASHM, ndërsa PS mbetet me vetëm 1 mandat.
Forca e tretë politike në Kukës rezulton të jetë Partia Socialdemokrate (PSD), e cila ka marrë 5,082 vota, ose 13.7% të votave në qark.
Fitorja e PD-së në Kukës shënon një rikthim simbolik për opozitën në një prej bastioneve tradicionale të saj dhe përforcon pozitën e koalicionit opozitar në garën kombëtare.