Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka vendosur sot të hapë kutitë e votimit në qarkun e Tiranës, në kuadër të shqyrtimit të kërkesave ankimore për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 1 majit 2025. Vendimi i KAS vjen pas shqyrtimit të kërkesës së depozituar nga Koalicioni “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.
Ky koalicion kërkonte:
Kundërshtimin e vendimit nr.1326, datë 24.05.2025, të KQZ-së, që miratonte rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në qarkun Tiranë;
Shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve të 11 majit në këtë zonë;
Përsëritjen e procesit zgjedhor për të gjithë qarkun.
Megjithatë, me shumicë votash, KAS rrëzoi kërkesën për shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve dhe përsëritjen e tyre. Pavarësisht kësaj, anëtarët e KAS-it, z. Elvis Çefa dhe z. Ledio Braho, bazuar në nenin 136, pika 3 të Kodit Zgjedhor, propozuan dhe vendosën që të bëhet këqyrja dhe rinumërimi i kutive të votimit për qarkun Tiranë.
Procesi i hapjes së kutive pritet të nisë në një moment të dytë, sapo të përgatitet logjistika e nevojshme për zhvillimin e tij.
Ky zhvillim mund të sjellë ndryshime në përllogaritjen e mandateve, sidomos për kandidatët që kanë pasur diferenca të ngushta votash, duke e rikthyer vëmendjen te integriteti dhe transparenca e procesit zgjedhor në qarkun më të madh të vendit.