Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar rregullat për regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë vendit dhe përgatitjen e listës së tyre.
Sipas rregullave të miratuara nga KQZ, “çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote që ndodhet jashtë vendit në datën e zgjedhjeve dhe që dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës për zgjedhjet për Kuvendin nga atje ku ndodhet, duhet të regjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit, në përputhje me rregullat e përcaktuara në këtë vendim.”
Po ashtu, KQZ shprehet se regjistrimi i zgjedhësit në listën e zgjedhësve jashtë vendit bazohet në vullnetin e vetë zgjedhësit për ta ushtruar të drejtën e votës jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Zgjedhësi duhet të plotësojë kushtet ligjore për të votuar jashtë territorit të Shqipërisë, siç përcaktohen në vendim apo në akte të tjera rregullatorë të votimit nga jashtë, pavarësisht faktit se emri i tij është në listën përfundimtare të zgjedhësve nga jashtë.
Zgjedhësi që dëshiron të votojë nga jashtë paraqet në mënyrë individuale kërkesë për regjistrim në listën e zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit në KQZ sipas procedurave të përcaktuara në këtë vendim. Afati për paraqitjen e kërkesës fillon 120 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 68 ditë para kësaj date.
KQZ ka përcaktuar edhe mënyrën se si do të bëhet regjistrimi i zgjedhësve në platformën PER, si edhe monitorimin e procesit.