Vrasja e Liridona Ademajt, 33-vjeçarja që dyshohet se u ekzekutua me porosi të bashkëshortit të saj Naim Murseli, do të hetohet nga prokurorja serbe, Javorka Perlinçeviq.
Çështja i ka shkuar prokurores serbe, pasi në fazën fillestare u hetua nga prokurorja Besa Limani, e cila së shpejti pritet të dalë në pension.
Prokurorja Perlinçeviq nuk ka pasur ndonjë rast të madh e publik në karrierën e saj. Vlen të theksohet vrasja e një personi te nënkalimi në Prishtinë.
Dyshohej se vrasja ishte kryer pas një sulmi fizik, ku një i dyshuar e kishte shtyrë viktimën nga shkallët, i cili nga goditjet kishte vdekur. Prokurorja serbe e kishte cilësuar veprën si “Vrasje nga pakujdesia”. I dyshuari ishte dënuar me 4 vjet e 8 muaj burg, shkruan “Nacionale”.
Naim Murseli, Kushtrim Kokalla e Granit Plava që dyshohen për vrasjen e Liridona Ademajt, janë shpërndarë në burgje të ndryshme.
Ndaj Plavës, kishte pasur edhe një tentativë sulmi në burg gjatë javës së kaluar, por që ishte shmangur nga rojet e sigurisë.