Super adrenalinë para nisjes së ndeshjes! Tifozët Kuq e Zi e kanë “vënë flakën” Anglisë me entuziazmin dhe pasionin e tyre për Kombëtaren, pavarësisht vendimit të FSHF-së për t’i përjashtuar nga biletat e rezervuara.
Në Londër, ata kanë krijuar një atmosferë të zjarrtë, duke treguar edhe një herë përkushtimin e tyre të palëkundur.
FSHF ka ndryshuar rregullat e shpërndarjes së biletave, duke mos ofruar më bileta të rezervuara për grupet e organizuara të tifozëve. Ky vendim është parë si një “hakmarrje” për qëndrimet kritike të Tifozëve Kuq e Zi ndaj Federatës, përfshirë kundërshtimin e tyre ndaj një kampionati të përbashkët me Serbinë.
Pavarësisht kësaj, Tifozët Kuq e Zi nuk janë tërhequr. Ata kanë udhëtuar drejt “Wembley”-t për të mbështetur Kombëtaren, duke sjellë një energji të pabesueshme. Në të kaluarën, UEFA ka ndëshkuar FSHF-në për incidente të shkaktuara nga tifozët shqiptarë, por kjo nuk i ka ndaluar ata të tregojnë pasionin e tyre.
Në Londër, pritet një përballje e zjarrtë jo vetëm në fushë, por edhe në tribuna, ku shqiptarët premtojnë një atmosferë elektrizuese!