Një ngjarje tragjike është regjistruar paraditen e sotme në bregdetin e Durrësit, ku një turist i huaj ka humbur jetën, ndërsa shoqëruesja e tij ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Sipas informacionit zyrtar të Policisë, rreth orës 11:15 të datës 1 qershor 2025, shërbimet e Policisë Kufitare të Portit të Durrësit janë njoftuar për një incident të rëndë në det, përballë zonës së Shkëmbit të Kavajës. Dy shtetas të huaj, të cilët po lundronin me një mjet Jet Ski, dyshohet se gjatë manovrave kanë humbur kontrollin dhe kanë përfunduar në ujë.
Menjëherë pas njoftimit, një patrullë detare e Policisë Kufitare ndërhyri me skaf dhe arriti t’i nxjerrë në breg dy turistët. Fatkeqësisht, njëri prej tyre – një shtetas nga Gana me banim në Angli – u gjet pa shenja jete. Ndërsa vajza që e shoqëronte, gjithashtu nga Gana dhe rreth të 30-ve, u transportua me urgjencë drejt spitalit në gjendje të rëndë shoku dhe mbytjeje.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e sakta të aksidentit, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që të jetë shkelur ndonjë rregull sigurie gjatë përdorimit të Jet Ski-t.