Kryeministri Edi Rama nuk ka humbur kohë dhe i është përgjigjur deputetit britanik Nigel Farage, pasi ky i fundit pretendoi më herët se e fitoi bastin për emigrantët.
Vetëm pak orë pas reagimit të Farage ku thoshte se 1 në 48 shqiptarë në Britani janë në burg, Rama thotë se “të gabosh është njerëzore, por të ngulmosh në gabim, është djallëzore.
Rama thotë se nuk janë 53,000 shqiptarë sa pretendon ligjvënësi britanik, por shumëfishi i kësaj shifre.
“Disa vlerësime sugjerojnë se popullsia e vërtetë shqiptare mund të jetë deri në 140,000 – që do të thotë se më pak se një në 100 janë në burg”-thotë Rama në përgjigje të deklaratës së deputetit britanik.
Rama ka edhe një përgjigje për deklaratën e Farage, se do t’i kërkonte Sekretarit të Brendshëm t’i përzërë shqiptarët e burgosur.
“Në vend që ta shqetësoni Sekretarin e Brendshëm, tashmë të zënë, ndoshta duhet të më njoftoni kur mund t’ju mirëpres në Tiranë, si mysafirin tim të nderit”-shkruan Rama, ashtu sikurse e kishte premtuar se nëse shifra 1 në 50 shqiptarë janë në burg do ishte e gabuar, atëherë do e ftonte Farage në Tiranë, madje reagimin e shoqëron me një foto nga AI, buzë detit.
Reagimi i kryeministrit Rama:
I nderuar z. Nigel Farage, Gjyshja ime katolike, Zoti e mëshiroftë, më kujtonte shpesh një proverbë latine: “Errare humanum est, sed perseverare diabolicum.” Që e përkthyer do të ishte: Të gabosh është njerëzore, por të këmbëngulësh në gabim është djallëzore.
Ndaj, në vend që të shqetësoni Sekretaren e Brendshme, e cila ka më se mjaftueshëm përgjegjësi, ndoshta do të ishte më e udhës të më njoftoni mua se kur mund t’ju pres në Tiranë si i ftuar nderi. Sepse, i dashur Nigel duket se numrat nuk janë pika juaj e fortë ndaj le t’i bëjmë gjërat të qarta: JU HUMBËT.
“Censusi” juaj për shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar është qesharak. Ju pretendoni se janë 53,000. Në realitet, numri është shumë më i lartë – disa herë më i madh. Por të qëndrojmë tek burimi juaj: The Telegraph, i cili i pari shpalli teorinë e “një në 50” dhe më pas pranoi vetë:
“Analiza ka të ngjarë të ketë nënvlerësuar madhësinë e popullsisë shqiptare, pasi nuk përfshin migrantët e paligjshëm, përfshirë mbi 12,000 që mbërritën me varka të vogla në vitin 2022. Disa vlerësime sugjerojnë se popullsia e vërtetë shqiptare mund të jetë deri në 140,000 – çka do të thotë se më pak se një në 100 ndodhen në burg.”
Sa për shifrën e të burgosurve, një pyetje më e vlefshme do të ishte: sa prej tyre janë dënuar për vepra që nuk kanë asnjë lidhje me sistemin tuaj të tejkaluar të vizave dhe emigracionit?
Po, shifrat ndonjëherë mund të duken të mërzitshme – por janë gjithashtu kokëforta. Dhe kur dikush i shtrembëron vazhdimisht, pyetja e vërtetë është: Pse këmbëngul? Sepse, për të qenë i sinqertë, të sillesh me djallëzi është diçka që bie poshtë edhe nivelit tuaj të zakonshëm të retorikës.
Shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar nuk janë një statistikë për t’u shtrembëruar në emër të një teatri politik post-Brexit. Ata janë studentë, akademikë, ndërtues, shoferë, sipërmarrës, profesionistë dhe partnerë. Dhe nëse një në një mijë dështon, kjo nuk e kthen shumicën në kokë turku për konfuzionin tuaj kombëtar.
Ne kemi bashkëpunuar me përkushtim me qeverinë britanike për të ulur ndjeshëm emigracionin e paligjshëm dhe për të luftuar krimin. Këtë e dëshmojnë shifrat reale – dhe kjo quhet bashkëpunim. Por “një në 50 shqiptarë në burgjet britanike”? Kjo nuk është fakt, kjo quhet delir post-Brexit.
Pres me kënaqësi të ju mirëpres në Shqipëri, siç është premtuar, për të ndarë së bashku diell të bollshëm, mikpritje të ngrohtë dhe fakte të vërteta.