Kryebashkiaku i Tiranës ka reaguar nga burgu pas publikimit të dokumentit të firmosur prej tij në 18 mars ku shkarkon Anuela Ristanit nga detyra e kryetares së komanduar të bashkisë, e komanduar nga Edi Rama dhe emërimin e Sara Goxhajt.
Në një reagim në rrjetet sociale, Veliaj e cilëson vendimin një keqkuptim pasi sipas tij ai ka firmosur me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues.
“U informova që paska plasur peshku në moçalet mediatike për përplasjen time me Ramën, për punë delegimesh.
E para njëherë, me Ramën kam vetëm mall të takohem për të folur për punët si gjithmonë dhe asgjë tjetër s’më shkon në mendje.
E dyta, kam firmosur një ridelegim me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues, por kështu është kur “punon” pa informacionin e mjaftueshëm.
E fundit, kërkoni e gërmoni ku të doni tani, se u bë sport ky falë edhe prokurorit tim të dashur, por në marrëdhënien time me Ramën lodheni kot fare fare, se është plazmuar në kohëra të vjetra dhe nuk e ndryshon dot asnjë kohë, sado e mallkuar qoftë. Delegimi është rikthyer aty ku ishte dhe këtu mbyllet edhe keqkuptimi”, shkruan Veliaj.