Deputetja e PD, Jorida Tabaku, thekson se megjithëse turizmi po rritet në Shqipëri, numri i bizneseve të vogla po bie për shkak të taksave të larta dhe mungesës së konkurrencës së ndershme.
Ajo kritikon qeverinë socialiste për mosmbështetjen e sipërmarrjes së ndershme dhe për një ekonomi që favorizon pakicën.
Tabaku shpreh shqetësim për rënien e bizneseve në 8 nga 12 qarqet e vendit, duke e cilësuar situatën si një krizë për familjet dhe komunitetet. Sipas saj, shtylla kryesore e ekonomisë, sipërmarrja e vogël, është në rrezik për shkak të politikave qeveritare.
Postimi i deputetes demokrate, Jorida Tabaku:
Turizmi rritet. Gjithnjë e më shumë të huaj vijnë për të parë mrekullitë e Shqipërisë.
Por gjithnjë e më pak shqiptarë hapin biznese të vogla.
Gjithnjë e më shumë dyer mbyllen.
Pse?
E dinë të gjithë: taksat e larta, mungesa e mbështetjes, dhe një qeveri socialiste që nuk e do sipërmarrjen e ndershme.
8 nga 12 qarqe të vendit kanë rënie të ndjeshme të bizneseve të vogla.
Ato që qeveria i quan “rritje ekonomike” janë vetëm fasada. Janë reklama. Janë mashtrime.
E vërteta është kjo: Shqipëria është në krizë.
Sa herë mbyllet një biznes i vogël, një familje futet në vështirësi.
Sa herë mbyllet një punishte, humb një lagje, zbehet një komunitet.
Shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare është sipërmarrja e vogël.
Dhe për qeverinë socialiste, kjo shtyllë është armiku numër një.
Sepse shtresa e mesme nuk është klienteliste. Nuk shitet. Nuk hesht.
Ajo lufton.
Kundër monopoleve. Kundër shtetit të kapur. Kundër një ekonomie që punon vetëm për pakicën.