GJKKO pritet të vlerësojë ditën e mërkurës masën e sigurisë ndaj ish-Kryeministrit Sali Berisha. SPAK ka kërkuar në GJKKO caktimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” për deputetin Berisha, pasi më parë Kuvendi miratoi autorizimin që i jepte të drejtën Prokurorisë Speciale të kërkonte një forcim të masës së sigurisë, pasi ish-Kryeministri nuk kishte respektuar vendimin e GJKKO për detyrim paraqitje.
Kërkesa e SPAK depozituar në GJKKO konsiderohet ndër më ekstremet, përveç rasteve të arrestit me burg, që siç duket në rastin e ish-Kryeministrit Sali Berisha është e pamundur për shkak të moshës së tij.
Dallimi i vetëm në rastin e Berishës, referuar masave që kërkon SPAK, nga “arresti i shtëpisë” në “arrest me burg” është fakti se “qelia” e ish-Kryeministrit do të jetë banesa e tij, ku do të ndalohen takimet me persona jashtë pjesëtarëve të familjes, që jetojnë në të njëjtën banesë me të.