Një muaj pas fushatës elektorale, Shqipëria sot është në heshtje zgjedhore.
Sakaq, nesër qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit për të vendosur se kush do t’i qeverisë në 4 vitet e ardhshme.
Sipas Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, në nenin 77, përcaktohet periudha e heshtjes zgjedhore dhe kufizimet që lidhen me të.
Sipas këtij neni, dita para datës së zgjedhjeve dhe dita e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Gjatë kësaj periudhe, ndalohet çdo aktivitet fushate zgjedhore, përfshirë zhvillimin e mitingjeve, aktiviteteve të tjera zgjedhore dhe shpërndarjen e materialeve propagandistike nga subjektet zgjedhore.
Për ata që shkelin këtë dispozitë, Kodi Zgjedhor parashikon sanksione financiare. Në nenin 174, përcaktohet se subjektet zgjedhore që thyejnë heshtjen zgjedhore mund të gjobiten nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) me një shumë prej 500,000 lekësh. Po ashtu, media që shkel këtë rregull mund të gjobitet me një shumë prej 2,000,000 lekësh.
Këto masa synojnë të sigurojnë një proces zgjedhor të ndershëm dhe të paanshëm, duke garantuar që zgjedhësit të kenë mundësinë të shprehin vullnetin e tyre pa ndikime të jashtme në periudhën e heshtjes zgjedhore.