Një nga lajmet më të bujshme të ditëve të fundit është arrestimi i disa zyrtarëve të kompanisë që shfrytëzon zonën më të madhe naftëmbajtëse në Shqipëri, Bankers Petroleum Albania. Hetimet ndaj kompanisë kanë nisur mbi dyshime për mashtrim fiskal, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.
Pavarësisht peshës së skandalit dhe mbulimit të gjerë mediatik në dy ditët e fundit, opozita, konkretisht Partia Demokratike nuk ka bërë ende asnjë reagim zyrtar. Një heshtje që bie në sy, veçanërisht kur krahasohet me reagimet e shpejta të PD-së ndaj çështjeve të tjera më të vogla në rëndësi, si mbyllja e rrjeteve sociale.
Arsyeja e mungesës së reagimit mund të lidhet edhe me përgjegjësinë që PD mban për periudhën kur Bankers dyshohet se ka filluar këtë skemë mashtrimi. Kujtojmë se veprimtaria e dyshimtë e kompanisë është zhvilluar edhe gjatë qeverisjes së demokratëve, por në asnjë moment nuk është denoncuar apo të jetë hapur një hetim ndaj saj.
Sipas prokurorisë, hetimi i nisur në dhjetor të vitit 2024 zbuloi se Bankers ka raportuar humbje çdo vit, nga viti 2004 deri më 2024. Kjo i ka mundësuar kompanisë të shmangë pagesën e tatim-fitimit dhe të përfitojë në mënyrë të paligjshme rimbursime të TVSH-së në shifra që kapin miliona euro. Sipas të dhënave, Bankers ka deklaruar shpenzime që tejkalojnë të ardhurat me mbi 532 miliardë lekë, duke manipuluar qëllimisht bilancet financiare.
Ky skandal i përmasave të mëdha ngre dy pikëpyetje: ka arritur Bankers të mashtrojë shtetin për 20 vjet pa u kuptuar, apo qeveritë e njëpasnjëshme kanë mbyllur sytë dhe veshët për interesa të caktuara?
Në një kohë kur qeveria aktuale nuk jep kurrë sqarime për skandalet që shpërthejnë, pritet të jetë opozita ajo që flet. Të paktën për të sqaruar qëndrimin e saj përpara opinionit publik, qoftë edhe me një deklaratë të shkurtër nga kryetari në një nga konferencat e tij monotone e të përditshme.