Turqia është tronditur nga një ngjarje e rëndë që përfshin kompaninë e njohur Çalık Holding, në pronësi të biznesmenit Ahmet Çalık, i cili zotëron edhe Bankën Kombëtare Tregtare (BKT) në Shqipëri.
Ngjarja ka ndodhur muajin e kaluar në Stamboll, kur Erol Egrek, 49 vjeç, një ish-punonjës i një prej minierave të Çalık Group, shkoi përpara zyrave të kompanisë për të kërkuar pagesat që i takonin. Sipas raportimeve, ai kishte fituar gjyqin për të marrë pagat e prapambetura, por kompania kishte refuzuar të zbatojë vendimin.
Protesta e tij përshkallëzoi kur Egrek hodhi një vazo me lule drejt ndërtesës dhe më pas i drejtoi pistoletën vetes në shenjë kërcënimi për vetëvrasje. Por në atë moment, rojet e sigurisë ndërhynë dhunshëm, duke e rrahur brutalisht. Egrek u dërgua në spital në gjendje të rëndë dhe fatkeqësisht ndërroi jetë.
Fillimisht Çalık Holding mohoi çdo përgjegjësi për rrahjen fatale, por më pas vajza e viktimës publikoi pamjet filmike, ku duken truprojat duke goditur babain e saj.
“U bëj thirrje të gjithë atyre që kanë ndërgjegje. Mos lejoni që të harrohet.” – shkroi ajo në rrjetet sociale, duke shpërndarë videon tronditëse që ndezi reagime të forta.
Ngjarja ka shkaktuar protesta të shumta nga kolegët e Egrek, të cilët janë mbledhur në mënyrë masive para zyrave të Çalık Holding. Ata kanë akuzuar drejtpërdrejt Ahmet Çalık si përgjegjësin kryesor për ngjarjen tragjike.
“Ej, Ahmet Çalık, edhe sa të tjerë nga ne duhet të vdesin që të na japësh të drejtat tona?!” – thërrisnin në kor punonjësit.
Grupi Çalık, që zotëron biznese të shumta në rajon, përfshirë edhe bankën më të madhe në Shqipëri BKT, ndodhet aktualisht nën presion të lartë publik dhe ligjor, ndërsa hetimet mbi vdekjen e Egrek po vazhdojnë.