Oligarku i monopoleve, interesave të fuqishme dhe karteleve përfituese në Kosovë, Shkëlqim Devolli po përdor deri në degradim televizionin e tij Abc News në Tiranë kundër kryeministrit Albin Kurti, i cili i ka hequr duart Devollit nga buxheti i shtetit të Kosovës. Në krye të televizionit, me rekomadim politik, Devolli ka vendosur Kol Kyçin, i cili e ka kthyer Abc News në harem, ashtu siç ka operuar në çdo televizion ku e ka çuar partia. Televizioni i blerë në mënyrë të dyshimtë është kthyer në llastik kundër Albin Kurtit, i cili ka prerë interesat korruptive të oligarkëve në ekonominë e Kosovës. Në prill të vitit 2024, DASH publikoi një raport për të drejtat e njeriut në Shqipëri, në të cilin theksohet se pasi televizioni ABC News ndryshoi pronësinë, pati raportime se programet e drejtuara nga gazetarë kritikë ndaj qeverisë u mbyllën dhe ata gazetarë u larguan nga stacioni.
Teksa Abc News monton dhjetëra kronika për korrupsionin e pretenduar të qeverisë Kurti, faktet tregojnë se ky televizion është kthyer në lavatriçet mediatike më të frikshme të pastrimit të parave, duke tejkaluar edhe televizionin e Familjes Berisha, ku pronari në letra merr 800 USD pagë dhe kthen cash disa mijëra euro në muajit në llogaritë e Syrit Tv.

Pronari në letra i Abc News, ish Telenorba Shqiptare, është Esat Bojku, një personazh i besuar i Shkëlqim Devollit. Esat Bojku është djali i Ismet Bojkut, drejtorit të përgjithshem të Devolli Coorporation të Shkëlqim Devollit. Në vitin 2010, Esat Bojku dhe vëllezërit Devolli ishin objekt i hetimit të më madh të nisur ndonjëherë në Kosovë nga EULEX për korrupsion, për kontratën e famshme mes PTK-së dhe “Dardafonit”. Dosja u mbyll pas 10 vitesh pa asnjë të ndëshkuar.

Esat Bojku zotëron në letra 100% të kapitalit të shoqërisë “Media Holding” shpk, e cila zotëron 100% të kapitalit të “A.B.C. Management” shpk, e cila është pronare e kompanisë “ABC News”, televizionit Abc News.
Kompania Media Holdin, përmes të cilës oligarku Shkëlqim Devolli kontrollon Abc News me drejtor Kol Kyçin, është themeluar nga Esat Bojku në tetor të vitit 2022.


Adresa e kompanisë rezulton Rruga Aleksandër Moisiu, ish Godina Kinostudio, e njëjta adresë me zyrat e televizionit Abc News. Ndërkaq, kapitali i kompanisë është 1 milionë lekë.

Në 5 tetor 2022, Esat Bojku themelon kompaninë Media Holding me kapital 1 milionë lekë, ndërsa me 19 tetor 2022 blen për 2.7 milionë euro kompaninë Media A.B.C. Holding, e cila kontrollonte nga Holanda televizionin Abc News.


Pyetja që shtrohet është se cili është burimi i parave të Esat Bojkut, i cili me një kompani të sapo themeluar, pa kapital dhe pa veprimtari, blen për 2.7 milionë euro televizionin Abc News?
Nëse në këtë operacion është përfshirë si ndonjë bankë e nivelit të dytë, si e ka marrë Esat Stojku kredinë dhe si i ka shlyer këstet?
A ka kushtuar vërtetë Abc News 2.7 milionë euro, ku vetëm godina pa pajisje dhe licencë kushton disa herë më shumë? Sa është vlera reale e blerjes dhe cili është burimi i parave cash?
A ka mbajtur ndonjë shënim Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave për këtë operacion financiar?
Pronare në letra e kompanisë Media A.B.C. Holding, në momentin e blerjes nga Esat Bojku, ishte shtetase greke Efthymia Gkouma, mbulesë e biznesmenit Klodian Allajbeu. Ky i fundit, përmes kësaj kompanie të rregjistruar në Holandë, kontrollonte televizionin Abc News.
Prapaskena ka shfletuar librat e shitjes dhe të blerjes së kompanive maskë të Shkëlqim Devollit; Media Holding, A.B.C. Management dhe ABC News”, televizioni Abc News, ku rezultojnë transaksione me vlerë miliona euro nga oligarkë shqiptarë në Prishtinë dhe Tiranë. Transfertat, për të cilat do të japim detaje në vijim, duhet të jenë objekt i hetimit të SPAK, pasi televizioni Abc News i Shkëlqim Devollit, me drejtues Kol Kyçi, është produkt i zhvatjes së parave dhe pronave publike nga oligarkët në Shqipëri dhe Kosovë.
SPAK duhet të nisë fillimisht hetimet ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Inteligjencës Financiare, Ervin Koçi, mburoja më e madhe e pastrimit të parave në Shqipëri. Koçi shfaqet në dreka dhe darka me ikonat e pastrimit të parave në Tiranë, ndërsa mbulon dhe nuk referon në SPAK rastet flagrante të pastrimit të parave.
Shkëlqim Devolli i paguan haraç Sali Berishës
Oligarku nga Kosova Shkëlqim Devolli është pronar i kompanisë së shitjes me shumicë dhe me pakicë të mallrave të të gjitha llojeve DE HOLDING.

Prapaskena ka shfletuar librat e shitjes dhe të blerjes së kësaj kompanie, ku rezulton se Devolli kalon dhjetëra mijëra euro në llogaritë e televizionit të Familjes Berisha, Syri Tv.
Lëvizja e parave ka ardhur pasi Sali Berisha e kërcënoi drejtëpërdrejt Shkëlqim Devollin, dy vite më parë, pasi Devolli i bleu Klod Allajbeut televizionin ABC NEWS.
“Një media tjetër, e detyroi të shitet aty ku deshi. Por unë i bëj thirrje atij pronari, dhe u bëj thirrje pronarëve të ABC, që të ruajnë integritetin e medias së tyre, sikundër i bëj thirrje pronarit, që nëse do e shndërrosh në altoparlant të Endri Fugës dhe Edi Ramës, do përballesh me pasoja shumë serioze”, tha Berisha në dhjetor 2022.
Pasi pronari i Princ Cafe, Comodita Home, Klan Kosova etj., nisi pagesat për televizionin e Shkëlzenit, Berisha nuk ia përmendi më emrin.