Shqipëria, ashtu si vendet e Ballkanit në përgjithësi përballet me një boshllëk të madh financiar për të përmbushur objektivat TEN-T (rrjetit gjithëpërfshirës të infrastrukturës europiane).
Në njërën anë plani i rritjes i BE-së ka sjellë fonde të konsiderueshme (6 mld euro), por kosto e lartë dhe mbi-faturimet e projekteve mbeten sfida serioze, sipas një analize të Komunitetit të Transportit në lidhje me ecurinë e projekteve TENT gjatë vitit 2024.
Sipas raportit, 965 km hekurudhë janë aktualisht në rehabilitim në gjithë rajonin, me një kosto prej mbi 3.6 miliardë euro. Projektet rrugore kapin 11.3 miliardë euro, ku Shqipëria përfiton një pjesë të konsiderueshme në rrjetin bërthamë.
Raporti rekomandon që Shqipëria të përshpejtojë përfshirjen e plotë të standardeve të BE-së në sektorin hekurudhor dhe rrugor, përmirësimin e praktikave të mirëmbajtjes në vend të fokusit të tepruar te projektet e mëdha, rritjen e koordinimit me partnerët rajonalë dhe zbatimin e Planit të Veprimit të Komunitetit të Transportit.
Analiza e komunitetit të transportit vërejti se Hekurudha Durrës–Shkup është pjesë e rëndësishme e rrjetit bërthamë hekurudhor europian, por projekti po ndeshët me boshllëqe të mëdha. Rehabilitimi i kësaj linje pritet të përfundojë deri në vitin 2040, por ritmi i punimeve dhe mungesa e fondeve të mjaftueshme mund ta vonojnë ndjeshëm këtë objektiv.
Shqipëria përballet me mangësi të theksuara në përputhjen me kërkesat teknike të rrjetit TEN-T, veçanërisht në sektorin hekurudhor në ndërtimin dhe elektrifikimin e tyre. Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë më përpara në implementimin e projekteve me elektrifikim hekurudhor.
Shqipëria mori vlerësime për përmirësimin e segmentit Thumanë–Kashar, si pjesë e Korridorit të Mesdheut. Ky zhvillim ka kontribuar në rritjen e përputhshmërisë së rrugëve me standardet e TEN-T të rrjetit bërthamë të rajonit.
Megjithatë, raporti nënvizoi nevojën për vlerësime vjetore sistematike të gjendjes së rrugëve, pasi mungesa e monitorimit të rregullt mund të çojë në devijime midis të dhënave të raportuara dhe realitetit në terren. Projektet në rrjetet kryesore që financohen nga Plani i Rritjes po përballen me vonesa, si rasti i bypass-it të Tiranës.
Aeroporti i Tiranës përmbush disa nga standardet bazë të TEN-T për infrastrukturën terminale, por mungesa e lidhjes hekurudhore direkte është një pengesë për përmbushjen e kërkesave të integrimit multimodal. Lidhja e planifikuar me linjën Durrës–Tiranë shihet si një zhvillim premtues, por kërkohen investime të mëtejshme për të përmbushur objektivat për ekonominë e gjelbër të BE-së .
Shqipëria ka bërë përparime në përmirësimin e infrastrukturës së saj të transportit, veçanërisht në rrjetin rrugor dhe përmes përfshirjes në projekte strategjike si Korridori Adriatiko-Jonian. Megjithatë, për të përmbushur objektivat ambicioze të Rregullores së re të TEN-T deri në vitin 2030 dhe 2040, kërkohet një përshpejtim i ndjeshëm i reformave, investimeve dhe koordinimit strategjik./MONITOR