Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) mbi procedurat e prokurimit publik të ndjekura nga Bashkia Sarandë ka nxjerrë në pah një sërë shkeljesh dhe parregullsish serioze. Raporti i fundit i KLSH-së, i cili auditoi 12 procedura prokurimi, 10 prej të cilave të realizuara gjatë vitit 2023 me një fond limit prej 219,021,663 lekësh dhe 2 të nisura në vitin 2022 dhe të përfunduara në 2023 me një fond limit prej 59,166,666 lekësh, konstaton se prokurimet janë zhvilluar në kundërshtim me ligjin.
Sipas KLSH-së, auditimi zbuloi mangësi në dokumentacionin teknik, parregullsi në përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë dhe probleme të theksuara në zbatimin e kontratave. Këto shkelje kanë rezultuar në pasoja financiare të drejtpërdrejta për buxhetin e Bashkisë Sarandë dhe kanë cenuar rëndë parimet e transparencës dhe konkurrencës në administrimin e fondeve publike.
Në detaje, auditimi i procedurës për “Shërbimi i pastrimit dhe largimit të mbetjeve urbane” për vitin 2023 zbuloi përfshirjen e paarsyeshme të kostos administrative prej 5%, pasi shpenzimet për mbështetje infrastrukturore rezultonin të përfshira dy herë. Gjithashtu, u konstatuan probleme me mungesën e dokumentit miratues për produktet kimike të pastrimit dhe pagesa të kryera për shërbime të faturuara para datës së lidhjes së kontratës, në vlerë 1,080,488.2 lekë pa TVSh.
Në tenderin “Rikualifikim i rrugëve të brendshme me asfalt në Gjashtë, Sarandë”, KLSH vuri në dukje kërkesën e panevojshme për përfshirjen e një saldatori në staf, pasi në preventivin e punimeve nuk kishte asnjë zë që lidhej me saldimin.
Për tenderin e Furnizimit me ujë në “Baba Rexhepi” dhe Lugu i Dardhës, auditimi zbuloi mungesë të dokumentacionit teknik të plotë për garanci dhe kolaudim, duke shkaktuar një dëm ekonomik prej 1,871,980 lekë pa TVSh.
Në rikonstruksionin e rrugëve në Metoq, Berdenesh, Çukë, Manastir, u konstatuan mospërputhje mes volumit të punimeve të kryera dhe atyre të likuiduara, ku kontraktorit i ishin paguar tepër 1,257,520 lekë pa TVSh për punime të pakryera.
Edhe në rikonstruksionin e shkollës “Adem Sheme”, me vlerë rreth 80 milionë lekë, u evidentuan punime të papërfunduara dhe pagesa të bëra mbi situacione të pasakta, duke shkaktuar një dëm ekonomik prej 4,608,563.36 lekë pa TVSh.
Raporti i KLSH-së theksoi gjithashtu parregullsi në procedurën “Rikualifikim dhe shtrim i rrjetit rrugor Ksamil”, ku operatori fitues nuk plotësonte kriteret, ndërsa operatori që i plotësonte ato u skualifikua në mënyrë të pambështetur në ligj, duke rezultuar në një efekt financiar negativ prej 1,528,705 lekë pa TVSh.
Në përfundim, auditimi i KLSH-së nxjerr në pah administrimin e dobët dhe shpesh në kundërshtim me ligjin të fondeve publike nga Bashkia Sarandë gjatë prokurimeve, duke theksuar nevojën urgjente për forcimin e kontrollit të brendshëm dhe rritjen e përgjegjshmërisë institucionale në nivel vendor.