Kandidatja e Koalicionit Euroatlatik, Taulanda Jupi ka reaguar për ndarjen nga jeta të Papa Franceskut.
Jupi shkruan se bota humbi një zë të fortë të së drejtës dhe të mirës.
Ajo shkruan në Facebook se Papa la pas një trashëgimi të pashlyeshme të dhembshurisë, drejtësisë dhe guximit moral.
Postimi i plote
Homazh për Papa Françeskun
Sot bota humbi një zë të fortë të së drejtës dhe të mirës. Papa Françesku ndërroi jetë, por la pas një trashëgimi të pashlyeshme të dhembshurisë, drejtësisë dhe guximit moral.
Ai nuk ishte vetëm udhëheqësi shpirtëror i miliona besimtarëve. Ai ishte zëri i të varfërve kur askush nuk i dëgjonte. Ishte dora e shtrirë për të përjashtuarit, për të braktisurit, për ata që sistemi i neglizhon ose i shtyp. Ishte udhërrëfyes për një botë më të ndershme, më të përulur dhe më njerëzore.
Papa Françesku nuk hezitoi të flasë aty ku të tjerët zgjidhnin të heshtnin. Ai denoncoi padrejtësinë, luftoi indiferencën dhe mbajti anën e njerëzve përballë dhunës dhe lakmisë. Ai e pa besimin jo si privilegj, por si përgjegjësi për të vepruar dhe për të dashur pa kushte.
Në një kohë kur udhëheqësit shpesh ndjekin komoditetin, ai zgjodhi rrugën e vështirë, atë të së vërtetës dhe të drejtës. Dhe për këtë, kujtimi i tij do të jetojë gjatë në zemrat e atyre që besojnë se bota mund të jetë më e mirë.
Pusho në paqe, Atë i Shenjtë. Zëri yt do të vazhdojë të dëgjohet me kumbim.