Partia Popullore Europiane (PPE) ka vendosur të përfshijë Shqipërinë në axhendën e saj për misione verifikimi. Vendimi erdhi pas kërkesës së Kryetarit të PD, Sali Berisha.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paraqitur një panoramë të zymtë të situatës politike dhe sociale në gjatë fjalës së tij në Asamblenë Parlamentare të Partisë Popullore Evropiane (PPE) në Strasburg, duke e vënë theksin te procesi zgjedhor. Duke iu drejtuar anëtarëve të PPE-së, Berisha theksoi se Shqipëria ndodhet në një “situatë të vështirë” dhe akuzoi qeverinë e vendit për lidhje të ngushta me kartelet e drogës, duke kërkuar një mision të posaçëm fakt-mbledhës nga PPE për të verifikuar këto pretendime.
Në fillim të fjalës së tij, Berisha falënderoi PPE-në për mbështetjen dhe rezolutën e miratuar në Valencia, e cila, sipas tij, evidentoi problemet serioze me procesin zgjedhor në Shqipëri. Ai deklaroi se zgjedhjet e fundit ishin manipuluar në mënyrë të paskrupullt, duke e kthyer të gjithë shtetin në një “trupë elektorale”. Ai akuzoi qeverinë për përdorim të pamatë të burimeve financiare, njerëzore dhe logjistike, si dhe të pushtetit ekzekutiv, për të ndaluar, kontrolluar dhe manipuluar votën e qytetarëve shqiptarë.
Më tej, Berisha u ndal tek “dhuratat” e qeverisë gjatë fushatës zgjedhore, duke përmendur shpërndarjen e 100 eurove për çdo pensionist dhe faljen e 200 milionë eurove gjoba dhe interesa dy ditë para votimeve. Ai gjithashtu akuzoi qeverinë për mobilizimin e dhjetëra mijëra punonjësve të administratës si “patronazhistë” me akses në të dhënat personale të qytetarëve, të cilat u përdorën për joshje dhe kërcënime.
Duke kaluar në çështjen e drogës, Berisha e cilësoi Shqipërinë si “i vetmi narko-shtet në Europë”. Ai u shpreh se Kryeministri i Shqipërisë ka dhënë 138 licenca për kultivim droge, duke tejkaluar ndjeshëm kufirin ligjor të 200 hektarëve për qëllime mjekësore, dhe duke lejuar kultivimin në 29,000 hektarë, ekuivalent me mbi 100 milionë rrënjë kanabis. Ai vuri në dukje vlerën e lartë të një rrënje kanabisi në treg, duke sugjeruar përmasa të mëdha të fitimeve të paligjshme.
Ai argumentoi se kartelat e drogës në vendin e tij janë më të fuqishmet në Europë, me kontroll mbi portet kryesore dhe rrugën e heroinës. Berisha akuzoi zyrtarë të lartë të policisë, prokurorisë, ministrave dhe vetë Kryeministrin për bashkëpunim me këto kartele.
Duke njohur vështirësinë e situatës, por duke shprehur bindjen se ajo mund të luftohet, Berisha kërkoi ndihmën e PPE-së dhe partive simotra për të dërguar një mision verifikues në Shqipëri. Ai theksoi se një mision fakt-mbledhës do të kishte rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e tjera evropiane, duke qenë se Shqipëria është një eksportuese e madhe kriminaliteti, droge dhe emigrantësh.
Berisha siguroi Asamblenë Parlamentare të PPE-së se ai dhe forcat e tij politike kanë në dispozicion një sasi të madhe dokumentesh që provojnë lidhjet e shtetit shqiptar me kartelet e drogës, përfshirë lidhjet me kartelet e njohura ndërkombëtare si Sinaloa nga Meksika dhe kartelet nga Medelin, Bolivi, Peru dhe Ekuador. Ai shprehu besimin se me ndihmën e PPE-së, mund të ndihmojnë Shqipërinë, rajonin dhe vetë Bashkimin Evropian.
Në përfundim të fjalës së tij, Berisha falënderoi PPE-në për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme.
PPE pranon kërkesën e Berishës: Mision faktmbledhës do të dërgohet në Shqipëri
Partia Popullore Europiane (PPE) ka vendosur të përfshijë Shqipërinë në axhendën e saj për misione verifikimi. Vendimi erdhi pas kërkesës së Kryetarit të PD, Sali Berisha, i cili kërkoi ndihmën e PPE-së dhe partive simotra gjatë fjalës së tij në asamblenë politike të PPE në Bruksel për të dërguar një mision faktmbledhës në vendin tonë.
Sekretarja e Përgjithshme e PPE-së, Dolors Montserrat, deklaroi: “Vendosëm të bëjmë dy misione, një në Liban dhe një në Moldavi, por tani do ta vendosim si prioritet edhe Shqipërinë. Mendoj se është një ide e mirë kur na kërkoni diçka, ndaj do ta vendosim si një nga prioritetet dhe objektivat tona që të bëjmë një mision në Shqipëri.”