Që prej fillimit të vitit duket se ka një rivalitet të fortë (!) në lidhje me tenderët milionësh të AKSHI-t ku asnjë procedurë deri më tani nuk ka ndjekur praktikën normale të një tenderi pa kaluar njëhërë nga Komisioni i Prokurimit Publik.
E njëjta gjë ka ndodhur sëfundmi edhe me dy tenderë me vlerë totale rreth 5 milionë euro (me TVSH).
Tenderi i parë me fond limit rreth 2.3 milion euro pa TVSH është ai me objekt “Permiresimi dhe Integrimi i Sistemeve te Menaxhimit te Informacionit per Ndihmen Ekonomike, Personat me aftesi te Kufizuar dhe Sherbimit Social”, organizuar nga AKSHI.
Tjetër tender është ai me objekt “Biletimi qendror Online per Muzete dhe Sitet e Trashegimise Kulturore. Permiresimi i sistemit te Biletimit elektronik dhe platforma e shitjes se biletave” dhe fond limit rreth 2.2 milion euro.
Në total, të dy tenderët kapin një vlerë rreth 5 milion euro me TVSH.
Siç konstaton Skyweb.al, në të dyja rastet, është kompania Advanced Business Solutions-ABS me pronar z.Gerond Meçe që është ankuar pranë Komisionit të Prokurimit Publik duke kërkuar ndërhyrjen e këtij autoriteti.
Ky nuk është rasti i parë ku ABS përplaset në KPP me operatorët e tjerë. Më herët, Skyweb.al raportoi mbi një përplasje të ngjashme mes Advanced Business Solutions dhe Soft&Solutions në lidhje me tenderin për me fond limit 10 milion euro për ngritjen e sistemit të menaxhimit të çështjeve gjyqësore në Shqipëri.
KLGJ kishte shpallur fituese ofertën 9.3 mln euro të Soft & Solution të Ermal Beqirit dhe KREATX të Panajot Gjiknurit kundrejt asaj 8.3 mln euro të ABS dhe Data Log.
Nisur nga kjo, ABS u ankua në KPP duke kërkuar shfuqizimin e vendimit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të KLGJ-së dhe rikthimin e tyre në garë. Madje ABS kërkoi edhe organizimin e një séance dëgjimore për të kuptuar “shkaqet që çuan në vendimin e KVO-së së KLGJ për të skualifikuar ofertën e tyre”.
Gerond Meçe dhe Ermal Beqiri, “peshkaqenët” e tenderëve të AKSHI-t
Advanced Busines Solutions dhe Soft & Solution janë dy kompanitë që kanë marrë pjesën dërrmuese të tenderëve të AKSHI-it gjatë viteve të fundit. Siç rezulton nga të dhënat e thesarit të publikuara nga OpenSpendingAlbania, ABS ka marrë rreth 48 milion euro pagesa nga thesari gjatë 5 viteve të fundit, kurse Soft & Solution vjen me rreth 24 milion euro.