Policia e Shkodrës ka asgjësuar 40 621 rrënjë bimë narkotike të dyshuara si kanabis në kuadër të operacionit të gjerë antidrogë të koduar “Koordinata”, që vijon prej disa javësh në zonat më problematike të qarkut.
Më konkretisht në Kastrat dhe Shkrel, në zonën e Malësisë e Madhe, u zbuluan 22 422 bimë kanabis, ndërsa në në Temal dhe Shllak të Vaut të Dejës, u asgjësuan 2 409 bimë.
Në territorin e njësive administrative Shalë, Pult dhe Shosh, shërbimet gjetën dhe asgjësuan 15 790 bimë. Asnjë prej kultivuesve nuk u arrestua, por në hetim në gjendje të lirë u morën 8 kryepleqë të fshatrave Pecaj, Ura e Shtrenjtë, Ndrejaj, Nicaj, Mollë, Bzhetë, Ducaj dhe Lohë e Sipërme dhe 2 roje mjedisi.
Ata dyshohet se kanë lejuar apo nuk kanë raportuar kultivimin e bimëve narkotike në zonat që mbulojnë. Forcat e rendit janë mbështetur edhe nga dronë dhe teknologji për zbulimin nga ajri, ndërsa në operacionin e fundit, për shkak të terrenit të vështirë u përdor helikopteri.