Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Arben Loshi, ka bërë të ditur përmbajtjen e mesazhit kërcënues që çoi në evakuimin e godinës së Kuvendit mëngjesin e sotëm.
Sipas Loshit, kërcënimi është dërguar përmes një mesazhi të shkruar në gjuhën angleze, ku thuhej se një bombë ishte vendosur në ndërtesën e Kuvendit dhe se do të shpërthente brenda 10 minutave.
Ai nuk e konfirmoi se kujt konkretisht i është dërguar mesazhi, duke sqaruar se këto të dhëna i zotëron vetëm Policia e Kosovës.
“Nuk mund të konfirmoj apo mohoj diçka që nuk e dimë saktë kush është njoftuar. Njoftimin për evakuim na e dha Policia, të cilët kanë të gjitha të dhënat”, tha Loshi.
Në bazë të urdhrit të Policisë së Kosovës, është bërë menjëherë evakuimi i deputetëve, stafit dhe mediave që ndodheshin në ambientet e Kuvendit, pak minuta para nisjes së seancës konstituive.
Policia konfirmoi zyrtarisht se kërcënimi ishte marrë me SMS, dhe se njësitë përkatëse, përfshirë ato për deminim, janë duke kryer kontrolle të imtësishme në objekt dhe rreth tij.
Ndërkohë, seanca e shtyrë e Kuvendit, e cila duhej të niste në orën 11:00, është riplanifikuar për në orën 20:00 të mbrëmjes së sotme, në pritje të përfundimit të kontrolleve të sigurisë.