Nga Taulanda Jupi
Për 35 vite me radhë, një grusht njerëzish ka mbajtur peng Shqipërinë. E kanë zhytur vendin në korrupsion, kanë përdorur drejtësinë si bunker dhe paratë e taksave për luksin e tyre. Mediat i kanë shndërruar në megafon për frikësimin dhe mashtrimin e qytetarëve. Sot, ata kanë një plan të qartë: të bindin qytetarët se vota nuk vlen. Të mbjellin mosbesim. Të na bëjnë të heshtim. Sepse e dinë se vetëm kur qytetarët heshtin, ata mund sundojnë të qetë.
Mos u mashtroni: sa më pak votojmë ne, aq më shumë pushtet marrin ata. Sa më shumë qëndrojmë në shtëpi ditën e votimit, aq më të lehtë e kanë të ndajnë Shqipërinë si tortë e tyre. Një ndarje që u ka sjellë luks atyre dhe mjerim gjithë të tjerëve.
Mosvotimi nuk është protestë. Është kapitullim. Është leje për të vazhduar plaçkitjen. Është dorëheqje nga vetja, nga familja, nga e ardhmja. Kur nuk votojmë, në pushtet mbeten të paaftët, ata që frikësohen nga konkurrenca, që i tremben transparencës, që nuk i lidh asgjë me qytetarët përveç interesave personale. Taksat tona vazhdojnë të ndahen pas perdes, midis politikanëve të korruptuar dhe ortakëve të tyre në biznes. Ligji mbetet një instrument që mbron të fortët dhe lë në baltë të drejtët. Dhe brezi i ri vazhdon të largohet, jo në kërkim të ëndrrave, por sepse këtu nuk sheh më asnjë të ardhme.
Por kur votojmë, gjithçka ndryshon. E drejta kalon nga duart e një pakice të privilegjuar në duart e shumicës së heshtur. Ju i jepni një goditje direkte sistemit që i trembet ndryshimit. E rrëzoni pushtetin e ngritur mbi frikën dhe manipulimin. U tregojmë atyre që e kanë trajtuar Shqipërinë si pronë private se sovrani është qytetari, jo oligarku. Votimi është mënyra më e qartë dhe më e fortë për të ndëshkuar korrupsionin, për të larguar nga pushteti ata që nuk kanë dhënë llogari asnjëherë dhe për të hapur derën e politikës për njerëz që duan të shërbejnë, jo të përfitojnë.
Mos e pranoni mitin se “asgjë nuk ndryshon”. Asgjë nuk ndryshon kur dorëzoheni. Por gjithçka fillon të ndryshojë kur ne vendosim ta ndryshojmë. Dhe vota është akti i parë i këtij ndryshimi. Ajo nuk është thjesht një copë letër: është themeli më i fuqishëm i të ardhmes. Është vendimi për të mos pranuar më një Shqipëri ku puna dhe ndershmëria nënvleftësohen, ndërsa padrejtësia shpërblehet. Është hapi që ndan frikën nga guximi, apatinë nga dinjiteti.
Më 11 maj nuk zgjedhim thjesht një qeveri. Vendosim nëse Shqipëria do të mbetet në duart e pakicës së korruptuar, apo do të bëhet më në fund shteti i qytetarëve të vet. Ky është momenti kur cdo qytetar duhet të votojë, jo për një emër të vetëm, por për për t’u ndarë nga padrejtësia. Për të rimarrë kontrollin.
Votoni, sepse Shqipëria nuk ka më luksin të humbasë edhe një brez tjetër.