Ilir Keko, Edmond Tullumani, Genc Përmeti, Milena Selimaj, Engjëll Ndocaj, Dionis Papadhimtri dhe Albert Minga do të kallëzohen penalisht për shpërdorim detyre.
Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar ka skualifikuar në mënyrë të paligjshme nga gara për Drejtorin e Përgjithshëm 8 kandidatë, të cilët plotësonin kriteret, duke favorizuar drejtoreshën e komanduar Aurora Polo, e cila nuk plotëson kriteret.
Statuti i RTSH, neni 11, pika 2 parashikon që Këshilli Drejtues bën vlerësimin e kandidaturave të paraqitura në mbështetje të dokumentacionit të dorëzuar, verifikon dhe saktëson vërtetësinë e tyre dhe me votim të fshehtë, vendos përfshirjen e tyre në konkurrim, duke i renditur sipas rendit alfabetik të mbiemrit.
Në mbledhjen e djeshme Këshilli Drejtues anashkaloi procesin e verifikimit të kritereve dhe përjashtoi nga gara kandidatët që plotësonin kriteret e përcaktuara nga neni 10 i Statutit të RTSH, ndërkohë që kualifikoi Aurora Polon e cila duhet të ishte skualifikuar për mospërmbushje të nenit 10, pika ç të statutit të RTSH: Të ketë përvojë pune jo më pak se 10 vjet, nga të cilat 5 vjet pozicione menaxhimi në media, institucione publike (jo administratë), sektori privat, në shkenca komunikimi, teknologji komunikimi dhe digjitale.
Ilir Keko, Edmond Tullumani, Genc Përmeti, Milena Selimaj, Engjëll Ndocaj, Dionis Papadhimtri dhe Albert Minga janë 7 anëtarët që kanë votuar në mënyrë të paligjshme pro kandidaturë së Aurora Polos. Po cfarë morën ata në këmbim të shkeljes së ligjit?!
Aurora Polo, e cila që prej muajit shtator 2024 ushtron kompetencat e Drejtorit të Përgjitshshëm të Radio Televizionit Shqiptar aspiron të marrë zyrtarisht këtë detyrë për pesë vitet e ardhshme. Ajo po përdor pushtetin për të blerë votat e anëtarëve të Këshillit Drejtues, në këmbim të favoreve personale.
Elton Metaj dhëndri i Edmond Tullumanit, anëtar i Këshillit Drejtues të RTSH është emëruar Shef i Kabinetit të Drejtorit, ndërkohë që drejtor nuk ka. Metaj ka një të shkuar të dyshimtë në spiunazh.
Ilir Kekos i është premtuar projekti për realizimin e një dokumentari për babain e tij Endri Keko.
Gëzim Podgoricën, anëtarin tjetër të këshillit e ka bërë pjesë të delegacionit të Festivalit Europian.
Vajzës së Milena Selimit, anëtares tjetër, i ka dhënë projekt në Radio.
Engjell Ndocajn e lejon të punojë privatisht në RTSH për të realizuar dokumentarë.
Dionis Papadhimitri, sipas raportit të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, duhet t’i kthejë shtetit 30 mijë euro.
Të gjitha këto qoka në këmbim të votës pro, pavarësisht se nuk plotëson kriteret ligjore të përcaktuara qartë në Statutin e RTSH. Meqenëse nuk plotëson kriteret, çdo anëtar i Këshillit që ka votuar Polon si kandidate potenciale për drejtuese të RTSH, kryen një vepër penale dhe rrezikon burgun.
Nga ana tjetër, votimi konsiderohet i paligjshëm e për rrjedhojë i pavlefshëm sepse Kryetari i Këshillit dhe vetë anetarët kanë lejuar të votojë një anëtar që gjendet jashtë shtetit, konkretisht në Vietnam, në një kohë që votimi ishte i fshehtë. Votimi online i këtij anëtari të Këshillit natyrisht zbuloi dhe sesi votoi ai prej Vietnamit. Mjafton kjo paligjshmëri që i gjithë procesi të shpallet i pavlefshëm.
Në kushtet e paligjshmërisë kryetari i këshillit Leka Bungo duhet të mbrojë RTSH duke i kërkuar Kuvendit të shkrijë Këshillin Drejtues./Prapaskena