Ilir Meta kishte një objektiv; Të përfitonte 10 milionë euro nga afera CEZ-DIA. Shifra del nga hetimet e SPAK për korrupsionin e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Për këtë shifër SPAK i referohet deklaratave të Elvis Matajt, ish bashkëpunëtor i ngushtë i Metës, një prej personave kyç për zbardhjen e aferës, i cili ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë.
Hetimet kanë zbuluar se kanë përfituar para nga afera CEZ-DIA edhe disa ish bashkëpunëtorë të Ilir Metës si Agron Çela, Arian Laçi, Shpëtim Shehu etj., lidhje të ngushta të Ilir Metës. Nuk është kryer asnjë punë. Thjeshtë CEZ ka kaluar rreth 7 milionë euro te kompania DIA dhe më pas DIA, me pronar në letra Kastriot Ismailajn, i kalonte paratë tek miqtë e Metës.

Përpos Agron Çelës, i cili ka marrë 170 mijë euro, në skenë del edhe shtetasi Arian Laçi, i cili ka marrë 320 mijë euro, përmes kompanisë Nereida, me aksioner babanë e tij, Nikolla Laçi. SPAK i ka lënë jashtë përgjegjësisë penale si Agron Çelën, ashtu edhe Arian Laçin, i cili njihet si një biznesmen në Durrës dhe financues i ish LSI-së.
Për raportet e ngushta të Metës me Arian Laçin kanë dëshmuar në SPAK disa personazhe, duke përfshirë Spartak Brahon dhe Elvis Mataj. Laçi ishte një nga bashkëthemeluesit e kompanisë DIA bashkë me Kastriot Ismailajn, kompani e cila u përdor nga Ilir Meta për të realizuar aferën me CEZ. Ish bashkëthemeluesi i DIA-s rezulton aksioner në disa kompani hidrokarburesh dhe prodhimi të lëndës së parë letër, ku ka përfituar leje, licenca dhe para publike.
Biznesmeni, të cilin Meta e përmendte shpesh sipas Spartak Brahos, rezulton pronar i tokave në bregdet, përfshirë edhe 5 hektarë tokë në plazhin e Shën Vasilit. Në emër të babai ka disa kompani të tjera me aktivitet në fushën e shëndetësisë, ndërtimit, transportit detar, hotelerisë, parkimit, kancelari, peshkimit etj.

Në vitin 2019, Edi Rama dhe Blendi Klosi miratuan lejen për ndërtimin e një hoteli dhe kompleksi turistik në Durrës nga Arian Laçi. Bëhet fjalë për kompleksin Iliria, një investim miliona euro.
Agron Çela mori 170 mijë euro
Deputeti Agron Çela, dikur përfaqësues i LSI dhe i afërt me Ilir Metën, ka përfituar në mënyrë të paligjshme rreth 170 mijë euro nga kompania DIA, e cila me ndërhyrjen e Metës mblidhte borxhet e CEZ.
“Ndërsa në lidhje me shoqërinë BTT, me ortak të vetëm shtetasin Shpëtim Shehu, e cila ka përfituar nga shoqëria DIA shumën prej 16.800.000 lekë, hetimi ka provuar se kjo shumë ka patur si përfitues fundor shoqërinë “Xhenis” sh.p.k., me ortak shtetasin Agron Çela, i cili në vitin 2013 zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë si përfaqësues i Partisë “Lëvizja Socialiste për Integrim”. Hetimi ka provuar gjithshtu se përftimi i këtyre parave, është bërë pa ofruar nga shoqëria “Xhenis” apo edhe BTT as edhe një shërbim apo mall të vetëm për shoqërinë DIA“, thuhet në dosjen e SPAK-ut.

Dy ditë më parë, në një ceremoni që kishte trajtën e një konkursi ndërkombëtar, kryeministri Edi Rama shpërndau dy rezidenca qeveritare, një në Vlorë dhe një në Velipojë. Atë të Velipojës për ish-deputetin e LSI-së, tashmë i rreshtuar me PS-në, Agron Çela.
Në prezantimin e projektit, arkitekti kanadez u shpreh pa drojë: “Ne punojmë me familjen që zotëron hotelin ngjitur pronës. Kanë 300 metra plazh, dhjetëra metra pyll dhe njohin çdo zog aty.” Bëhet fjalë për hotelin gjigand Grand Hotel Europa në Velipojë. E thënë ndryshe: pronari i hotelit ngjitur, Agron Çela, tashmë merr edhe rezidencën shtetërore si shtesë natyrore të kompleksit të tij.
Resorti në Velipojë, grabitje pronash e pastrim parash
Besohet gjerësisht se Ilir Meta ka kaluar në emër të Agron Çelës resortin “Grand Europa Resort” në Velipojë, ndërtuar me para të dyshimta dhe mbi prona të grabitura shtetërore nga Ilir Meta në Velipojë.

Resorti është formalisht në emrin e bashkëshortes së Agron Çelës, Belma Çela, por pronare faktike dyshohet se është Monika Kryemadhi.
Që Belma Çela është pronare në letra dhe Monika Kryemadhi dyshohet se është pronare faktike e resortit po sjellim disa fakte dhe rrethana.
Së pari, deputeti i LSI Agron Çela që iu bashkua PS-së para zgjedhjeve lokale, ka patur vetëm 300 m2 tokë në Pulaj të Plazhit Velipojë.
Së dyti, sipërfaqja e resortit është 23 mijë m2 në tokë shtetërore, e grabitur nga Ilir Meta, duke e kaluar si pronë private të Belma Çelës, në emër të firmës “Xhenis-SH” me letra të falsifikuara.
Së treti, Belma Çela nuk kishte mundësi financiare për investimin me vlerë miliona euro, por paratë ishin të Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës, me burim jo të ligjshëm.
Së katërti, Meta mori pjesë në nisjen e punimeve në 20 mars 2012, ndërsa në 15 korrik 2018, Monika Kryemadhi ka inaguruar hapjen e këtij resorti në Velipojë.
“Nga dita e sotme, turizmi shqiptar krenohet me këtë resort modern, të ndërtuar falë largpamësisë së çiftit Agron e Belma Çela me mbështetjen e miqve të mirë, të cilët Goni nuk i ka braktisur kurrë”, tha Kryemadhi.
Në ceremoninë e inagurimit, Monika Kryemadhi sillej si pronare dhe respektohej si e tillë, ndërsa Belma Çela si të ishte kamarierja e Monikës, edhe pse çifti Meta-Kryemadhi e bënë konsulle nderi të Mongolisë.
Grabitja e Kafes së Madhe
Agron Çela futi në dorë dhe shkatërroi Kafen e Madhe në Shkodër kur ishte me Ilir Metën.

Si mos të mjaftonte grabitja e pronave në Velipojë ku ndërtoi resortin me para të dyshimta, Agron Çela shkatërroi Kafen e Madhe në Shkodër, një monument kulture dhe identitet shpirtëror, ideuar nga arkitekti Kolë Idromeno.
Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka kallëzuar përpara organit të akuzës, kompaninë në pronësi të Agron Çelës dhe bashkëshortes së tij, Belma Çela, për veprën penale “Shkatërrim i veprave kulturore”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 160 i Kodit Penal.
Gjatë kohës kur Çela ushtronte detyrën e deputetit, në vitin 2016, kompania “Xhenis-Sh” Shpk në pronësi të tij, fitoi me vendim të këshillit kombëtar të restaurimeve, restaurimin e “Kafes së Madhe”, projektuar nga arkitekti Kolë Idromeno, objekti më i rëndësishëm i kategorisë 1 në Shkodër.
Në vitin 2021, nga inspektimet e KLSH rezultonte se objekti ishte shembur pjesërisht.

Nga ky objekt historik qëndronte në këmbë vetëm fasada kryesore.
Në inspektimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit thuhet se subjekti “Xhenis–Sh” SHPK filloi punimet në shkelje të nenit 79 të ligjit për trashëgiminë kulturore dhe muzetë.
Në deklaratën e pasurisë të deputetit Agron Çela të vitit 2021, rezulton blerja e 768 metrave katrorë sipërfaqe truall si dhe ndërtesën e kafes së madhe në Shkodër, për 600 mijë euro.
Me shkresën nr. 144/4, prot., datë 28.05.2021 “Për marrjen e masave urgjente për pezullimin e menjëhershëm të punimeve në objektin “Kafja e Madhe Shkodër” i është kërkuar ish kryetares së bashkisë, Voltana Ademi të ndërpriten menjëherë punimet, por nuk është kthyer asnjë përgjigje nga kryebashkiakja, e cila ka qenë vetë në detyrë në momentin kur Çela ka zaptuar Kafen e Madhe.
Ndryshimi i drejtimit të bashkisë në vitin 2022, duket se ka sjellë përplasje mes Çelës dhe Bardh Spahisë, i cili nuk ka pranuar t’i dalë në mbrojtje deputetit të Metës, në çështjen që ka në prokurori.
Dhe kjo duket se është e vërteta e ‘përplasjes’ mes Spahisë dhe Çelës.
Nuk kuptohet se pse SPAK nuk ndërhyn për të tërhequr dosjen penale nga Shkodra, pasi Agron Çela si deputet është subjekt i SPAK-ut.
/Prapaskena/