Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur në fshatin Gryk-Çajë, në Kukës, ku një mjet ka humbur kontrollin dhe ka dal nga rruga.
Si pasojë drejtuesi i mjetit, Liman Shehu, 65-vjeç, nuk ka arritur që t’i mbijetojë plagëve të marra dhe ka humbur jetën gjatë transportimit me ambulancë për në spital.
“Në fshatin Gryk-Çajë, shtetasi L. Sh., 65 vjeç, banues në fshatin Çajë, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit tip “Fiat”, dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit”, njoftoi policia.
Më herët gjatë ditës, është raportuar edhe për të paktën dy aksidente të tjera.
Në fshatin Gjorm të Lacit, një furgon pasagjerësh dhe një autoveturë u përplasën me njera-tjetrën. Nga ky aksident u raportua se u plagosën lehtë dy drejtuesit, ndërsa një pasagjer ka marrë plagë të rënda, dhe është dërguar për ndihmë mjeksore në spitalin e Traumës, në kryqytet. Njëri nga drejtuesit shoqërohet në komisariat, pasi rezultoi nën efektin e alkoolit.
Ndërsa në aksin Elbasan- Peqin, në fshatin Pajovë, një automjet doli nga rruga. Për këtë rast, nuk u raportua për të lënduar.