Kuvendi ka ankimuar në KAS vendimin e KQZ për të bllokuar nismën e “Paketës së Maleve” dhe pr. ligjin për TVSH në Bujqësi. KQZ i kërkoi Kuvendit të mos i miratojë 2 projektligjet pasi mund të ndikojnë në elektorat para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Dy pr/ligjet u shqyrtuan nga KQZ pasi u ankimuan nga KRIIK, Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara.
Ilirjan Celibashi, kreu i KQZ, tha se miratimi i dy projektligjeve, “Për paketën e maleve” dhe “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92, datë 24.07.2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, prek politika të rëndësishme fiskale, dhe rrjedhimisht, ndikojnë tek zgjedhësit.
KQZ kërkoi që Kuvendi të mos i përfshijë në seancë plenare për votim dy projektligjet.
“Ndryshimet e propozuara kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në sektorin ekonomik dhe atë tregtar, çdo veprim në këtë drejtim mund të dëmtojë parimin e barazisë mes aktorëve ekonomikë në prag të zgjedhjeve. Ato mund të krijojë perceptimin e përdorimit të mjeteve ligjore për qëllime elektorale.
Kufizimet, apo ndalimet e parashikuara në nenin 91, pika 4, të Kodit Zgjedhor mund të jenë penguese edhe kur vërehet që akti që kërkohet të shqyrtohet, apo miratohet nuk duket se do të përdoret për qëllime politike, apo elektorale. por është vetë ligjëvënsi ai që në këtë pikë e ka vlerësuar që për një kategori aktesh për periudhën 4 (katër) muaj përpara datës së zgjedhjeve ndalimi për miratimin e tyrë është i domosdoshëm. Përjashtimin e ka bërë vetëm për rastet e gjendjes së fatkeqësisë natyrore” argumenton Celibashi vendimin e tij të marrë në datën 11 shkurt që i rekomandonte Kuvendit të mos përfshinte në shqyrtim në seancë plenare dy pr/ligjet”, tha Celibashi.
Nga ana tjetër, Kuvendi vlerëson se vendimi i KQZ-së, është i padrejtë, i pabazuar në ligj dhe bie në kundërshtim me nenin 91, pika 4 e Kodit Zgjedhor.