Arinaldo Rrapaj vijon të tregojë nivel të lartë dhe të konfirmohet si lojtari më i çmuar i Kategorisë Superiore. Vlonjati ishte vendimtar në finalen e Superkupës, duke shënuar golin që i dha ekipit trofeun. Në një intervistë për mediat, mesfushori tregon se Superkupa ishte një detyrë për të kuqtë, teksa flet edhe në lidhje me të ardhmen, duke e lënë tërësisht të hapur largimin në janar.
Sa u përket çmimeve dhe titujve, keni fituar thuajse gjithçka. E kishit menduar një vit të tillë?
Të them të drejtën kam pasur besim te vetja që do të kem këtë ecuri. Jam shumë i lumtur që ndihmova ekipin të fitonte Superkupën, sepse jemi ekip me traditë dhe e kishim për detyrë ta fitonim këtë trofe, me gjithë respektin për Egnatian. Jam shumë i lumtur për fitoren dhe pas çmimit të “Topit të Artë” e tregova sërish veten dhe më ndihmoi Zoti me atë gol.
Mund të themi se i keni arritur të gjitha këtu në kampionatin shqiptar, edhe pse në moshë të re?
Ka gjithnjë vend për përmirësim. E njoh shumë mirë veten time dhe cilësitë që kam. Mund të jap akoma më shumë për ekipin. Falë Zotit deri më tani kam bërë mirë dhe pse jo të vazhdoj me këtë ecuri.
Çfarë ndryshoi ndaj Egnatias pas atyre gjashtë barazimeve radhazi?
E dinim se Egnatia ka shumë cilësi në sulm dhe në pjesën e parë na rrezikoi nga krahët. Por edhe ne e kishim studiuar shumë mirë dhe po i bënim vazhdimisht presing nga lart. Falë Zotit qëllova unë aty në atë moment dhe shënova gol.
Çfarë menduat në momentin që e patë Sherrin konfuz?
Në momentin e fundit e kuptova me anë të shikimit se ku do të pasonte, por edhe me pozicionimin e trupit. Qëlloi që më pasoi mua dhe shënova gol.
Mund të jetë janari një moment kyç për të ardhmen tuaj?
Shpresoj që janari të jetë një moment deciziv. Të gjitha ofertat që kanë ardhur në klub i diskutojmë me presidentin dhe me stafin e klubit. Duhet parë çfarë do të jetë më e mira për mua. Kjo gjë po diskutohet, por për momentin nuk mund të jap diçka konkrete.