Kandidatja e Koalicionit Euroatlantik, Taulanda Jupi, u prezantua zyrtarisht dje përpara banorëve të Njësisë 5 nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Në një takim të ngrohtë dhe entuziast, Jupi ndau me qytetarët vizionin e saj për një të ardhme të ndërtuar mbi ndershmëri, përkushtim dhe guxim për ndryshim.
“Nuk premtoj asgjë që nuk mund ta realizoj. Do të punoj me ndershmëri dhe vendosmëri për t’i dhënë zë halleve dhe shpresave tuaja,” u shpreh Jupi gjatë fjalës së saj, duke theksuar se prioritetet e saj do të jenë arsimi cilësor, shëndetësia efikase dhe mirëqenia e çdo qytetari.
Ajo vuri në dukje se karriera e saj është ndërtuar me durim, dije dhe kulturë, dhe tani është momenti për të ndërtuar bashkë me qytetarët një komunitet më të drejtë dhe më të zhvilluar.
“Na pret shumë punë. Por unë besoj se bashkë ia dalim,” përfundoi ajo, duke falënderuar përzemërsisht për mbështetjen e marrë në këtë hap të rëndësishëm.