Nga Taulanda Jupi
Shqipëria doli nga diktatura komuniste si vendi më i varfër në Europë. Sot, pas 35 vitesh të ashtuquajturi tranzicion demokratik, Shqipëria është ende vendi më i varfër në Europë.
Ka dy gjëra që nuk kanë ndryshuar për shqiptarët që nga viti 1990: varfëria dhe ata që e kanë prodhuar atë: të njëjtët politikanë të korruptuar. Të njëjtët emra, të njëjtat fytyra, të njëjtat pazare. Shqipëria është akoma në fund të Europës.
Ndërsa qytetarët punojnë për mbijetesë me paga më të ulëta se në çdo vend tjetër të Ballkanit, dhe përballon çmime që kalojnë ato të Bashkimit Europian, politikanët ndërtojnë vila, transferojnë pasuri jashtë vendit dhe trashëgojnë pushtet nga njëri brez në tjetrin.
Nuk është Shqipëria ajo që ka dështuar, është klasa politike. Një kastë që nuk njeh as përgjegjësi, as ndëshkim. Dhe për sa kohë ajo kastë vazhdon të komandojë, Shqipëria nuk do të ecë përpara.
Korrupsionit të 35 viteve i ka ardhur fundi. Shqipëria nuk është e varfër nga Zoti, është e varfëruar nga një sistem i ngritur për të mbajtur pasurinë në pak duar dhe në pushtetin tek të njëjtët njerëz. Kjo nuk do të ndryshojë vetë. Duhet ndryshuar me vendosmëri, me votë të rebeluar dhe hakmarrjeje për dekadat e humbura.
Unë besoj te një Shqipëri ndryshe.
Një vend ku të rinjtë nuk ikin, por krijojnë. Ku fëmija është gëzim e bekim, jo barrë për familjen. Ku arsimi hap rrugë dhe nxjerr nga varfëria, nuk prodhon vetëm diploma. Një Shqipëri ku drejtësia është njësoj për të gjithë dhe ku politika është shërbim, jo privilegj.
Kjo është ëndrra ime: një vend që jeton me dinjitet dhe krijon të ardhmen me guxim. Dhe kjo ëndërr nuk është e pamundur. Por është e domosdoshme.