Artistja shqiptare Parashqevi Simaku, e cila u shfaq në një video në rrugët e Neë Yorkut si e pastrehë do të ketë mbështetjen e ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli dhe humanistit Halil Kastratin, për t’u pajisur me një banesë në Kosovë ose në Shqipëri.
Në rrjetet sociale, Pacolli shkruan se Shoqata “Jetimat e Ballkanit” dhe Fondacioni “Behgjet Pacolli,” janë të gatshëm për ta ndihmuar ish-këngëtaren shqiptare jo vetëm me banesë, por edhe me shpenzimet për transferimin e saj, si dhe duke i garantuar asaj punësim adekuat ose një pension mujor.
“Gjatë një takimi që patëm sot me humanistin Halil Kastrati dhe ish-konsullin e Kosovës në Kanada @ Donat Syla, ky i fundit na informoi në detaje për gjendjen e rëndë të këngëtares së famshme shqiptare, Parashqevi Simaku. Ne, Shoqata “Jetimat e Ballkanit” dhe Fondacioni “Behgjet Pacolli,” shprehim gatishmërinë për të vënë në dispozicion një banesë dhe për të marrë përsipër të gjitha shpenzimet për transferimin e saj në Kosovë ose Shqipëri, duke i garantuar asaj punësim adekuat ose një pension mujor. Shoqëria jonë duhet të përkujdeset për personalitetet që kanë dhënë shumë për kombin !”, thuhet në postimin e Pacollit.